Një vit më parë filloi lufta civile në Libi. Formalisht ajo përfundoi pas tetë muajsh, kur Muammar Gaddafi u zu rob dhe u vra në një nga rajonet e qytetit të tij të lindjes Sirte.

Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë deri tani po përpiqet më kot të marrë nga autoritetet e reja të vendit sqarime në lidhje me të gjitha rrethanat e vdekjes së tij. Sipas mendimit të ish Ambasadorit të Rusisë në Libi Aleksei Podcerob, kjo është një nga dëshmitë evidente të vazhdimit të luftës në Libi:

- Sigurisht, tani në këtë vend po ndodh larja e hesapeve me të mundurit. Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, rreth 7.000 përkrahës të Muammar Gaddafi ndodhen të ngujuar në burgje dhe i nënshtrohen torturave mizore. Autoritetet e reja nuk e kanë aspak vendin nën kontroll. Kontrolli i tyre përhapet vetëm mbi Tripolin, rajonin në perëndim të kryeqytetit në një distancë prej vetëm 130 kilometrash. E gjithë pjesa tjetër e territorit të vendit kontrollohet nga fiset. Libia ngjason aktualisht me një fuçi baruti, së cilës i është futur fitili. Dhe ky fitil ose do të shkulet, ose do të ndizet e do ta shpërthejë atëhere gjithë fuçinë në copa-copa të vogla.

Drejtori i Institutit rus për Lindjen e Mesme Eugjeni Satanovski është mëse i bindur - fuçia do të shpërthejë shumë më shpejt se të arrihet t’i çdëmtohet fitili i ndezjes:

- Libia si vend unik tani nuk ekziston më. Janë ruajtur formalisht kufijtë, brenda të cilëve veprojnë fise të ndryshme, militantë, grupe radikale islamiste të tipit të “Al-Qaeda”, të cilët nuk patën ekzistuar gjatë drejtimit të Muammar Gaddafi. Ata luftojnë kundër njëri-tjetrit, domethënë në këtë vend po vazhdon lufta civile. Po merr zhvillim konflikti i ashpër midis berberëve dhe arabëve në perëndim të Libisë, përgjatë kufirit të vendit me Tunizinë dhe Algjerinë. Në provincat libiane mbretëron kaosi i plotë dhe lënia drastike pas dore e ekonomisë, shkelen brutalisht të drejtat e njeriut, aplikohet praktika e zakonshme - gjakmarrja ndaj fiseve që patën mbështetur Muammar Gaddafi.

Perëndimi arriti të mobilizojë atëhere disa vende arabe për të siguruar mbështetjen e operacioneve të veta ushtarake në Libi. Kurse tani vendet e Lidhjes së Shteteve Arabe përkrahin iniciativën për intervencionin në Siri. Arabët nuk po kuptojnë se çfarë po bëjnë, mendon Kryeredaktori i revistës ruso-arabe “Al Mutauasset”, libanezi Hussein Nasrallah. Ai është plotësisht i bindur: se Perëndimi përpunoi në Libi përvojën dhe teknikën e pushtimit të një shteti arab, të cilat do t’i përdorë në të ardhmen në Lindjen e Mesme:

- Gjatë kohës së ndërmarrjes së sulmeve ushtarake mbi Libinë u bë mëse e qartë se Perëndimi vuri në shënjestër për asgjësim objektet e infrastrukturës dhe se filloi gjenocidin ndaj libianëve. Tani e gjithë vemendja është përqendruar tek Siria. Perëndimi mund të destabilizojë gjithë rajonin nëse atje do të përsëritet skenari i Libisë. Ai përfundoi me sukses - sigurisht për interesat e veta - fushatën ushtarake në Libi, mbolli farën e përçarjes midis Egjiptit dhe Tunizisë, bëri atë që deshi në Jemen, ndërsa tani po punon për copëtimin përfundimar të Sudanit. Përveç kësaj, ne nuk dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt në Irak dhe në Algjeri.

0Kështu pra, një vit më parë filloi lufta civile në Libi. Ndërsa tani, me kalimin e një viti, shembulli i saj tregon se “pranvera arabe” u shndërrua në një “dimër të ashpër arab”. Dhe se kur do të përfundojë ai - nuk dihet.

Konstantin Garibov