Çështja e strehimit është një problem i madh, tejet serioz për pjesën dërrmuese të qytetarëve rusë. Politika shtetërore në këtë sferë duhet të bëhet më efikase: për këtë ekzistojnë të gjitha mundësitë. Për këtë deklaroi Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev në mbledhjen kushtuar masave për zbatimin e politikave të hartuara të strehimit.

Në vitin 2011 vëllimi i ndërtimit të godinave të banimit arriti nivelin e parakrizës, kujtoi Kryetari i shtetit. Kurse numri i familjeve, të afta për të blerë një apartament apo shtëpi, për pesë vitet e fundit është dyfishuar. Përveç kësaj, autoritetet po punojnë me grupe të veçanta të qytetarëve që kanë nevojë për përmirësimin e kushteve të banimit. Vetëm për vitin e kaluar kanë marrë në pronësi të vet apartamente 52 mijë veteranë të Luftës së Madhe Patriotike. Këtë vit ky program duhet të përfundojë. Gjithashtu në qendër të vemendjes së shtetit vazhdojnë të jenë, si dhe më parë, ushtarakët, vuri në dukje Dimitri Medvediev:

- Rreth 200 mijë ushtarakë shfrytëzuan avantazhin e sistemit grumbullues hipotekor. 1/4 e tyre tashmë janë bërë me apartamente. Kjo duhet vazhduar edhe më tej.

Edhe një tjetër mekanizëm i politikës së strehimit u bë shfrytëzimi i të ashtuquajturit kapital amësor i lindjes (ky kapital i jepet çdo gruaje ruse pas lindjes së fëmijës së dytë) për të paguar kreditë hipotekore. 324 mijë familje gjatë vitit të kaluar e kanë shfrytëzuar në mënyrë të suksesshme këtë mundësi. Por, sipas mendimit të Dimitri Medvediev, disponueshmëria e strehimit për shumë qytetarë të Rusisë mbetet megjithatë një nga çështjet më të ngutshme:

- Pothuajse 60% e popullsisë është e pakënaqur me kushtet e veta të jetesës. Por në qoftë se kjo pyetje do t’i bëhej banorëve në shtete të tjera, mendoj se situata do të paraqitej po e tillë si përfundim. Rrallë mund të gjendet ndonjë shtet banorët e të cilit të thonë se janë të kënaqur me strehimin e tyre. Tjetër punë është pastaj ai prag, ai nivel i garantimit me banesa që ne kemi aktualisht. Kërkesat e qytetarëve tanë, në këtë kuptim, janë shumë më modeste se në disa vende me ekonomi të zhvilluar.

Një nga detyrat prioritare të autoriteteve konsiderohet rritja e vëllimit të ndërtimit të banesave të klasës ekonomike. Gjatë kësaj pjesëmarrja e sektorit bankar në formimin e kërkesës efektive në sferën e klasës ekonomike të strehimit po vjen duke u bërë gjithnjë e më e qenësishme.

0Për ata që nuk janë në gjendje të blejnë apartament në treg do të krijohen institute të reja, duke përfshirë edhe institutin e banesave me qira. Në Rusi aplikimi i një mekanizmi të tillë në mënyrë krejtësisht evidente është stopuar në vend. Për ndryshimin e situatës nevojitet rregullimi legjislativ dhe mbështetja buxhetore, të cilën duhet ta sigurojë qeveria. Megjithatë, pavarësisht nga dobësitë e institutit të qirasë, 3/4 e familjeve ruse zotërojnë banesat e tyre private, ndërkohë që në disa vende të tjera ky tregues është shumë më i ulët.

Ilia Harllamov