Fundjavën e kaluar në rrugë dolën për të protestuar shumë banorë të qyteteve të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Holandës, Polonisë, Bullgarisë, Austrisë, Finlandës, Francës, Sllovakisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë.

Shpërthimi i zemërimit të tyre u provokua nga Marrëveshja e re ndërkombëtare e Tregtisë Kundra Falsifikimit, ose ndryshe ACTA (Anti-Counterfeiting Trade Agreement).

SHBA, Japonia, BE-ja në një takim me dyer të mbyllura përpunuan Marrëveshjen, e cila pas Tokios dhe Uashingtonit, në fund të janarit u nënshkrua nga Komisoni Evropian dhe përfaqësuesit e 22 vendeve të BE-së. Tani ACTA, e cila parashikon ndëshkimin administrativ me gjoba mjaft serioze, të rënda dhe dënimin me burgim për çdo shkelje të së drejtës së autorit, duhet të ratifikohet nga parlamentet e vendeve nënshkruese. Por autoritetet po përballen aktualisht me rezistencën e popullit.

Atë tashmë e pagëzuan me emrin “vëllai i vogël” i projektligjeve amerikane SOPA dhe PIPA, kundër të cilave doli kohët e fundit bashkësia botërore. Të gjitha këto projektligje destinohen për të mbrojtur pronarët e të drejtave të autorit, duke parashikuar gjatë kësaj ndërhyrjen e rreptë në hapësitën e Internetit dhe shkeljen e qëllimshme, paraprake të të drejtave të njeriut. Në fakt, në mënyrë kaq të mprehtë përdoruesit e Internetit reagojnë ndaj të gjitha kufizimeve që vendosen me ligj mbi ta, mendon Internet-analisti Askar Tuganbajev:

- Problemi kryesor konsiston në vetë faktin se njerëzit nuk e perceptojnë informacionin si pronë private, e cila ka vlerën e vet. Ndërkohë që shpenzimet për përgatitjen e tij janë mjaft të qenësishme. Prandaj është e nevojshme të rregullohet qarkullimi i informacionit dhe zhvendosja e mbartësve të informacionit.

Por jo të gjithë ekspertët pajtohen me një qasje të tillë. Tentativa për të kufizuar mundësitë e përdoruesve të përmbajtjes (content) është apriori një ide e keqe, mendon eksperti rus Andrei Mihailjuk:

- Në fakt ne po ballafaqohemi tani me lobin e kuajve, i cili pat ekzistuar në fillim të shekullit të XX - atëhere pronarët e fermave të kuajve përpiqeshin të ndalonin përdorimin e makinave, sepse ato i shkaktonin dëm biznesit të tyre. Në të vërtetë mbrojtja e të drejtave të autorit (protection of copyright) në formën, në të cilën po përpiqen ta fusin atë tani - pagesa për një përmbajtje konkrete pa të drejtë për ta kopjuar ligjërisht më pas atë - bile nuk mund të thuhet as se është vjetëruar, sepse ajo që fillimisht nuk ishte e përshtatur me realitetet. Paraqitet nevoja për rishikimin e marrëdhënieve në mes të pronarit të të drejtave të autorit dhe njeriut që dëshiron ti marrë këto të drejta.

0Me sa duket nga të gjitha, protestat publike nuk do të lejojnë ratifikimin e ACTA në pamjen e saj aktuale nga parlamentet kombëtare. Po ashtu si dhe SOPA, kjo Marrëveshje e re do të lihet në sirtar. Meqë ra fjala, shumica e protestuesve nuk e kundërshtojnë aspak mbrojtjen e arsyeshme të të drejtave të autorit. Ata kërkojnë që diskutimi i dokumenteve të tilla të bëhet haptazi dhe mos të synojë shkeljen e të drejtave të një pale në favor të superfitimeve të palës tjetër.

Natalia Kovalenko