Shkarko audiofailin
Referendumi që po mbahet më 14-15 shkurt në katër komuna të Kosovës veriore, për mosnjohjen e autoriteteve shqiptare në Prishtinë nga serbët vendorë, mund të përkeqësojë akoma dhe më shumë situatën në rajon. Dhe problemi nuk qëndron këtu vetëm në rezultatet përfundimtare të plebishitit.

Ato janë plotësisht të parashikueshme dhe do të konfirmojnë pozitën parimore të serbëve ndaj shtetit të vetëshpallur të Kosovës. Por plebishiti ka një rëndësi gjeografike - ajo konsiston në shndërrimin përfundimtar të serbëve kosovarë në një faktor të pavarur të politikës ballkanike. Ndërsa kjo do të ishte një sfidë e drejtpërdrejtë jo vetëm për Prishtinën, por dhe për BE dhe madje vetë Beogradin. Kësaj teme i kushtoi komentin e vet Pjotër Iskenderov. Autori shkruan:

Plebishiti i tanishëm nuk është aspak rasti i parë kur serbët e Kosovës përpiqen t’i japin një përgjigje ligjore autoriteteve shqiptare të Kosovës. Në maj të vitit 2008 - 3 muaj pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës - komunat veriore serbe votuan për krijimin e Skupshtinës (Kuvendit) të komunave serbe të Kosovës dhe Metohisë, e cila të veprojnë në bazë të kushtetutës së Serbisë. Puna e saj ka gëzuar deri kohët e fundit mbështetjen e plotë të autoriteteve të vetë Serbisë.

Por në vjeshtë të vitit 2011 Komisioni Evropian i dha një përgjigje pozitive aplikimit të Serbisë për anëtarësim në BE. Dhe tani Beogradi duhet të zgjedhë: ose të normalizojë menjëherë marrëdhëniet me autoritetet e Prishtinës, ose të heqë dorë fare nga ideja e integrimit evropian. Kurse Gjermania, e cila u shndërrua në valën e krizës në Bashkimin Evropian në lidere joformale të “Evropës unike”, kërkoi nga Serbia jo vetëm heqjen totale të kundërshtimeve për pjesëmarrjen e plotë të Kosovës në forumet ndërkombëtare, por dhe dhënien e ndihmës për eliminimin e organeve pushtetore serbe në komunat veriore të Kosovës.

Duke gjykuar nga informacioni që vjen nga Beogradi, autoritetet e Serbisë me sa duket nuk kanë arritur ende në një vendim përfundimtar në lidhje me zbatimin e ultimatumit faktik të Brukselit dhe Berlinit. Në koalicionin e partisë drejtuese lindi përçarja. Kreu i MPJ të Serbisë Vuk Jeremiç në dukje sikur favorizon mbajtjen e një qëndrimi më të rreptë në negociatat me BE-në, kurse Presidenti i Serbisë Boris Tadiç e këshilloi fare hapur delegacionin e serbëve kosovarë, që vizitoi Beogradin, që të mos pengojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Serbëve të Kosovës Veriore iu krijua përshtypja sikur autoritetet e Beogradit po përfundojnë prapa shpinës së tyre marrëveshje të paligjshme me autoritetet e Prishtinës, - mendon eksperti i Institutit të Studimeve Sllave të Akademisë së Shkencave të Rusisë Aleksandër Karasiov:

- Këmbëngulja e serbëve është e lidhur, në radhë të parë, mund të shprehemi kështu, me fyerjen, poshtërimin e tyre moral si popull. Ata po e përjetojnë mjaft rëndë këtë gjë. Që këtej rrjedh dhe një konfrontim i tillë kaq i ashpër në lidhje me çështjen në fjalë. Përsa i përket Serbisë, duhet thënë, se ajo aktualisht nuk mund t’i lejojë vetes një acarim të ri të marrëdhënieve me BE-në. Shumë persona në udhëheqjen serbe besojnë se vetëm duke hyrë në Bashkimin Evropian vendi do të mund të mbrojë në mënyrë më efektive interesat e serbëve kosovarë. Por edhe BE-së, të përfshirë tani nga vorbulla drastike e krizës, nuk i duhet aspak një ndërlikim i ri i situatës në Kosovë. Kështu që referendumi aktual nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do të dëshmojë, do të evidentojë pozitat ekzistuese të palëve.

Komandanti i forcave shumëkombëshe KFOR në Kosovë, gjenerali Erhardt Drews paralajmëroi në prag të referendumit mbi rrezikun kërcënues që mund të përbëjë ai për ata serbë kosovarë, të cilët nuk jetojnë në komunat veriore, por në enklava të izoluara në rajone të tjera të Kosovës. Në intervistën e vet dhënë revistës gjermane Focus ai shprehu mendimin se plebishiti “mund të provokojë nacionalistët shqiptarë kosovarë për të ndërmarrë sulme mbi minoritetin serb në jug”. Por sido që të jetë në të vërtetë, duhet thënë, se problemet e pazgjidhura të serbëve kosovarë po vijnë duke u bërë një sfidë gjithnjë e më serioze për Prishtinën, Beogradin dhe për Brukselin. Kurse serbët e Kosovës në këtë trekëndësh gjeografik, me sa duket nga të gjitha, mund të mbështeten kryesisht në forcat e veta.

Pjotër Iskenderov