Shkarko audiofailin
Parlamenti grek miratoi ultimatumin e “treshes” - Bankës Qendrore Evropiane, FMN-së, Komisionit Evropian. Kushtet e marrëveshjes së re të kredisë janë jo thjesht drakoniane, por për një vend sovran bile dhe disi poshtëruese.

Fjalëve të Athinës nuk i zënë më besë, “treshja” kërkon sigurime me shkrim se reformat do të realizohen medoemos në vend. Dhe vetëm pas kësaj do të merret vendimi: t’i jepet apo jo Greqisë kredia prej 130 miliardë eurosh. Vetkuptohet se kredia do të jepet. Llogaritjet treguan: falimentimi (default) grek do t’i kushtojë Eurozonës shumë më shtrenjtë se kreditë miliardëshe. Kësaj teme i kushtoi komentin e vet Sergei Guk. Autori shkruan:

E përjavshmja gjermane “Die Zeit” konstatoi: Athina de facto po shndërrohet në protektorat të Brukselit dhe FMN-së. Vendit i përpiluan recetën e vjetër si vetë bota për shëndoshjen e ekonomisë: kursimet drakoniane në gjithçka të mundur. Reduktimi pa pikë mëshire i programeve sociale. Privatizimi i pronës shtetërore: u llogaritën nga “treshja” bile dhe paratë e fituara nga kjo - 50 miliardë euro. Qeveria do të ishte e lumtur ta bënte këtë, por vetëm se investitorë të gatshëm për të investuar në një ekonomi kaq të paqëndrueshme si ajo greke, është vështirë të gjenden. Detyrën e reduktuan deri në 19 miliardë euro. Nga grekët kërkohen suksese reale në luftën kundër korrupsionit, në mbledhjen e tatimeve si dhe futjen e taksave të reja. Kjo është një strategji e rreme, mendojnë shumë ekspertë, duke përfshirë edhe miliarderin George Soros. Vetëm me kursime është e pamundur të ringjallet koniunktura, nevojitet infuzion me mjete financiare. Ndërsa të tjerë, si eksperti Jakov Mirkin, Drejtori i Institutit rus të tregjeve financiare, i përmbahen mendimit se masat që i janë imponuar tani Greqisë ngjasojnë shumë me trajtimin e detyruar mjekësor:

- Nga Greqia kërkojnë si shumë. Dhe sikur të gjitha këto masat duhet të çojnë në reduktimin e aktivitetit ekonomik. Por ekzistojnë edhe premisa për një start të ri. Greqia në kuadrin e Tregut Unik është një objekt jashtëzakonisht tërheqës për realizimin e projekteve të ndryshme të BE-së. Nga njëra anë, masat e rrepta të kursimit në një periudhë afatshkurtër do të reduktojnë aktivitetin e biznesit. Nga ana tjetër, Greqia zotëron një potencial tejet të madh nga pikëpamja e zhvillimit të turizmit, kurse kjo bën të mundur kalimin nga ekonomia joformale në atë formale. Domethënë, mundëson vënien e rregullit në sferën e ekonomisë. Dhe kjo është një platformë jashtëzakonisht e mirë starti për ripërtëritjen e ekonomisë greke.

Ndërkohë masa të mëdha të evropianëve jugorë, dhe jo vetëm grekët, janë vënë në kushtet kur nxjerrja përditshme e bukës së gojës po vjen duke u bërë gjithnjë e më e vështirë. “Farërat e zemërimit” (“The Grapes of Wrath” by John Steinbeck) po vijnë duke u pjekur në Portugali, Spanjë dhe madje në Itali.

Sergei Guk