Shkencëtarët e qytetit siberian Krasnojarsk janë afër krijimit të një sistemi të mbyllur të sigurisë së jetës së njeriut në kozmos. Gjatë ndërtimit të bazave për banim nëpër trupa të tjerë qiellorë janë të pashmangshme ciklet autonome biologjike. Tani kjo tingëllon mjaft aktuale: baza hënore mund të shfaqet në vitet 2020.

Një sistem i tillë duhet ta garantojë njeriun plotësisht me ajër për frymëmarrje, sikurse me ujë dhe produkte ushqimore duke i përpunuar për veprimtarinë jetësore të tij. Nga jashtë  vjen vetëm drita dhe energjia elektrike.

Hallka  e parë dhe më e përshtashme për biociklin autonom është alga njëqelizore klorela, e cila në dritë lëshon oksigjen dhe rrit shpejt biomasën. Klorela heq problemin e frymëmarrjes për kozmonautin, megjithëse nuk është zgjidhje për ushqimin. Nevojiten bakterie të sipërfaqes së tokës dhe lloje të përcaktuar krimbash, të cilët do t’i shndërronin të gjitha mbetjet dhe biomasën e klorelës në komposto, e cila nga ana  e saj do të shërbente për të ushqyer bimësinë barishtore, zarzavatet dhe frutat. Në Rusi një përvojë e tillë po eksperimentohet në Krasnojarsk, në kompleksin BIOS. Pas një, apo dy vjetësh mendohet se atje do të arrihet në masën 100% programimi biologjik. Në brezin paraardhës të shkencëtarëve kjo arritje ishte në masën 60-70%.

Amerikanët kanë një projekt të ngjashëm që quhet “Biosfera-2”, të shtrirë në një sipërfaqe, pothuaj prej 1.5 ha, me kafshëza të vockëla, zogj, reptilë, me ujëmbledhës dhe “shkretëtirë”. Atje u kryen eksperimente deri në vitin 1996, me pjesëmarrjen e tetë personave. Projekti rus, jo vetëm se është më kompakt, por edhe ka dallime të mëdha, thotë Andrei Degermenzhi, shkencëtar i Institutit Siberian të Biofizikës:

- “Biosfera-2” amerikane drejtohej nga jashtë, ndërsa njerëzit ishin pasivë brenda saj, si bebe të rrethuar nga përkujdesja. Ne mendojmë, se sistemi duhet të jetë plotësisht autonom si në drejtim, ashtu edhe në ciklim.

Interesimi i kolegëve ndërkombëtarë për BIOS-in sa vjen e rritet. Sipas Andrei Degermenzhit, kinezët propozuan të blejnë gjithë laboratorin dhe ta merrnin me vete në vendin e tyre. Ndërsa Agjencia Kozmike Europiane i ka ndarë tashmë mjetet, që të zhvillojë eksperimente brenda BIOS, të cilët do të tregonin, sesi ndryshon gjendja e mikroorganizmave në kushte izolimi.

Kërkimet për të gjetur një sistem të mbyllur me cikël qarkullimi të plotë të ujit dhe materies organike po zhvillohen në botë nga disa grupe shkencëtarësh, por deri tani nuk ka patur sukses. BIOS e Rusisë ka shansin që të jetë e para.

Por, edhe mbas futjes në izolim biologjik të plotë të BIOS-it, hulumtimi nuk mbaron me kaq. Duhen përpunuar të ashtuquajturit regjime avarie, për analogji me të tilla në bazat hënore në kushte reale. Skenarët e daljeve prej këtyre regjimeve avarie janë kaq të shumtë, sa për verifikimin e tyre do kalojnë vite. Kompleksi duhet sjellë në gjendje gatishmërie të plotë në prag të fluturimeve pilotuese në Hënë.

Boris Pavlishiev, Vladimir Koreckij