Investimet në sferën e arsimit do të bëhen prioritet i rëndësishëm buxhetor për Rusinë në dekadën e ardhshme. Për këtë deklaroi Kryeministri dhe kandidati presidencial Vladimir Putin në artikullin e tij programatik të radhës.

Këtë të hënë ai u botua në gazetën “Komsomolskaja pravda” («Комсомольская правда») dhe i kushtohet çështjeve të politikës sociale.

Artikullin e vet Vladimir Putin e fillon me konfirmimin se Rusia është shtet social. Si dëshmi ai vuri në dukje se në vitet e fundit për sferën sociale shpenzohet më shumë se gjysma e të gjitha shpenzimeve buxhetore të vendit. Po, kjo është plotësisht e vërtetë, shprehet analisti politik rus Aleksej Muhin, por e pamjaftueshme megjithatë:

- Të pranosh faktin se shteti social ka përfunduar së ndërtuari në Rusi është diçka tejet joshëse, por shumë e vështirë - sepse shtresëzimi social është jashtëzakonisht i madh në shoqërinë ruse. Aktualisht nuk mund të flitet kurrsesi për ndërtimin e një sistemi ideal për nga pikëpamja e drejtësisë sociale në Rusi.

Në fakt Vladimir Putin e kupton edhe vetë për mrekulli këtë. Tani si objektiv kryesor për veten ai shikon ndërtimin e një shoqërie të drejtë për nga pikëpamja sociale. Në këtë drejtim ai premton të vazhdojë edhe në të ardhmen indeksimin e pagave preferenciale dhe pensioneve, duke vënë në dukje gjatë kësaj se është kundërshtar i rritjes së moshës së pensionit. Do të vazhdojë edhe mbështetja për familjet me shumë fëmijë dhe puna për stimulimin e lindshmërisë në vend. Sipas mendimit të Kryeministrit, po të mos realizojë projektin e vet afatgjatë të zhvillimit demografikt Rusisë i kërcënohet shndërrimi në një “hapësirë boshe”, për shkak se popullsia e saj megjithë territorin jashtëzakonisht të madh të vendit përbën vetëm 143 milionë banorë. Në qoftë se nuk do të merren masa urgjente, atëhere aty nga viti 2050 qytetarë rusë do të mbeten rreth 107 milionë. Por nëse do të zbatohet një politikë kompetente, e menduar mirë demografike, atëhere banorët e Rusisë në 40 vitet e ardhshme do ta kalojnë shifrën 154 milionë.

Prioritet buxhetor për dekadën e ardhshme do të bëhen investimet në sferën e arsimit. Reformat në sferën e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, të cilat po realizohen në vitet e fundit, nuk sollën rezultatin e dëshiruar. Arsyeja e një rezultati të tillë, sipas mendimit të Kryeministrit, është paga e ulët e punonjësve profesionistë buxhetorë. Vladimir Putin në artikullin e vet premton ndryshime plotësisht konkrete në kahun pozitiv për profesorët e universitetit, mësuesit e shkollave, punonjësit e sferës së kulturës, bashkëpunëtorët e qendrave shkencore dhe institucioneve të kujdesit mjekësor.

Jo më pak e rëndësishme, sipas mendimit të Vladimir Putin, është edhe rivendosja e sistemit të arsimit profesional, me qëllim që deri në vitin 2020 fuqia e kualifikuar punëtore të përbëjë të paktën 1/3 e numrit total të saj.

0Ky tashmë është artikulli i pestë i publikuar nga Vladimir Putin në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale. Artikulli i parë u botua më 16 janar në gazetën “Izvestia” («Известия»). Në të autori parashtroi sfidat me të cilat përballet aktualisht vendi. Një javë më vonë në botimin “Njezavisimaja gazeta” («Независимая газета») u duk artikulli kushtuar çështjes kombëtare. Më pas në gazetën “Vedomosti” («Ведомости») doli artikulli, në të cilin u parashtrua koncepti i tij përkatësisht zhvillimit ekonomik të vendit, kurse javën e kaluar në gazetën “Kommersant” («Коммерсант») Kryeministri ngriti çështjet e demokracisë në shtetin rus. Tezat nga të gjithë artikujt e sipërpërmendur do të përfshihen në programin elektoral të kandidatit për presidencën në Rusi Vladimir Putin.

Natalia Kovalenko