Tu-16 është avioni i parë bombardues në seri i prodhimit sovjetik (sipas klasifikimit të NATO-s Badger). Projekti ekzemplar i këtij bombarduesi reaktiv me krahë të pjerrët  u shfaq në vitin 1948 nga sipërmarrja e konstruksionit të avionëve, që mban emrin A.N.Tupolev. Kurse në vitin 1953 filloi prodhimi i tij në seri i mbiquajtur Tu-16.

Ky avion u demonstrua, për herë të parë, në paradën ajrore mbi Sheshin e Kuq në 1 maj 1954. Tu-16 mund të mbajë në bordin e tij deri në 9 ton bomba (të kalibrit 100 - 9000 kg), të cilat vendosen në depozitën e bombave, në pjesën e mbrapme të korpusit të avionit, ndërsa predhat-raketë vendosen nën krahët e tij. Gjatë teatrit të luftimeve në det Tu-16 mund të lëshojë mina dhe torpeda. Armët mbrojtëse të këtij bombarduesi përbëhen nga 7 mitralozë 23 mm, AM-23. Por ky është, si të thuash, kompletimi bazë.

Avioni është modernizuar disa herë. Mbi bazën e Tu-16 zhvillim të madh kanë marrë avionët e betejës radioelektronike (BRE), të quajtur shpesh valëzhurmues. Modifikimet e para u shfaqën në fund të viteve ’50, ndërsa gjatë viteve ’60 filloi ndërtimi i tyre në seri. Për rrjedhojë, me sistemet BRE u pajisën të gjithë variantet e avionëve goditës, apo zbulues të tipit Tu-16.

Fill pas variantit bombardues të këtij avioni erdhi prodhimi seri i Tu-16A, që mbartëte në bordin e tij armë bërthamore. Prej njërit nga këta avionë u krye lëshimi dhe shpërthimi i bombës së parë bërthamore të Kinës, më 27 tetor 1967. Gjatë luftës në Afganistan, Tu-16 janë shfrytëzuar shumë herë për bombardimin e territorit të këtij vendi. Në prill 1984, avionët e njësisë nr. 200 të bombarduesve të rëndë morën pjesë në operacionin në Pandshir për eliminimin e grupit të muxhahedinëve të Ahmad Shah Masudit. Bombarduesit Tu-22M dhe aviacioni frontal i armatës nr. 40, marrë sëbashku, krijuan një dendësi të tillë mbi luginën e Pandshirit, që s’ishte parë në histori, aq sa stacioni i radiolokacionit në aerodromin e Bagramit, i destinuar për të ndjekur 100 shënjestra njëkohësisht “ u mek” nga ngarkesa e madhe. Municioni bazë i Tu-16 gjatë këtij operacioni ishin bombat fugas (bomba minë).

Në fund të viteve ’60, me urdhër të komandës së mbrojtjes kundërajrore, disa bombardues u pajisën me mbartësit e raketave të shënjestruara të Tu-16KPM. Avionët, që kishin tejkaluar afatin, u përdorën si avionë shënjestra të radiokomanduara të Tu-16M.

Igor Ostanin