Shkarko audiofailin
Ministrat e financave të vendeve të zonës së euros i shtynë Greqisë për një farë kohe transferimin e paketës së dytë të ndihmës financiare, pavarësisht madje dhe nga fakti se 3 partitë kryesore politike të Greqisë ranë dakort mes tyre për kushtet e programit të ri të marrjes së kredisë nga ana e BE-së dhe FMN.

Fjalë bëhet për reduktimin e shpenzimeve buxhetore, për paga minimale si dhe  për shkurtimin e 150.000 nëpunësve civilë. Tensioni social po vjen duke u rritur në Greqi.

Por bile as kërcënimet e rifillimit të trazirave sociale, sipas mendimit të analistëve, në një kohë të afërt nuk do të shkaktojnë ndryshime rrënjësore të modelit të zonës së euros. Në këtë treg korporatat e mëdha financiare nga Evropa dhe SHBA kanë preferenca të qenësishme, ky është territori i tyre i sigurimit të fitimit të garantuar, thotë Drejtori i Institutit rus të Problemeve të Globalizimit Mihaill Deliagin. Në qoftë se do të supozojmë, për shembull, daljen e Greqisë nga zona e euros, vendi do të përballet atëhere me një katastrofë të vërtetë, kurse kreditorët e saj, ka shumë të ngjarë, t’i presë falimentimi, vë në dukje Mihaill Deliagin në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë”:

- Por meqenëse një përfundim i tillë nuk i duhet as njërës palë dhe as tjetrës, do të vazhdojë të ruhet gjendja e tanishme. Kurse parimi i dhënies së ndihmës do të jetë shumë i thjeshtë: vendet e Evropës Jugore do të marrin në formë ndihme aq mjete financiare sa do të nevojiten për parandalimin e falimentimit të bankave kreditore dhe kompanive të sigurimeve, në të cilat janë siguruar letrat e tyre me vlerë. Por gjatë kësaj, natyrisht, për kurrfarë zhvillimi të këtyre vendeve as që do të bëhet fare fjalë. Vetkuptohet, njerëzit do të protestojnë kundër uljes së pagave të tyre. Situata sociale në këto vende do të përkeqësohet me shpejtësi, por bilanci financiar do të ruhet në interes të bankave kreditore.

Argumentet e ekspertit rus i konfirmoi tërthorazi Komisioneri i BE-së për Ekonomi dhe Financa Olli Rehn. Ai deklaroi në Bruksel se BE-ja po shqyrton mundësinë e hapjes së një llogarie speciale bankare për shërbimin dhe mirëmbajtjen e borxhit grek - mjetet nga kjo llogari do të përdoren, në radhë të parë, për reduktimin e këtij borxhi. Ndërsa të gjitha shpenzimet e tjera qeveritare do të spostohen në plan të dytë.

Ndërkohë, duhet thënë, se tani për tani programet anti-krizë të BE-së dhe FMN-së kanë karakter evident destruktiv, vuri në dukje në bisedën me Radiokompaninë tonë eksperti për Problemet e Evropës Qendrore dhe Evropës Juglindore të Institutit të Studimeve Sllave të Akademisë së Shkencave të Rusisë Pjotër Iskenderov:

- Kjo politikë solli si rezultat ndryshimin e elitave drejtuese dhe rënien e qeverive në një sërë shtetesh. Por kjo politikë nuk ndihmoi për kapërcimin e krizës as në kuadrin e gjithë Bashkimit Evropian, as në shkallë vendi të veçantë. Bile më tepër se kaq, areali gjeografik i shteteve problematike, në të cilin në fillim hyri Greqia, më pas Spanja, Portugalia, Italia e kështu me radhë, po vjen duke u zgjeruar. Ne po shohim tani në një gjendje të ngjashme me shtetet e sipërpërmendura Rumaninë, po bëhemi dëshmitarë të ngjarjeve në Bullgari, dorëheqjes së qeverisë në Sllovaki. Tronditjet dhe trazirat e brendshme politike po përfshijnë gjithnjë e më shumë shtete.

Nikita Sorokin