Një platformë për debate midis dy kandidatëve për presidencën ruse në mungesë u bë papritmas Kongresi i Bashkimit të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve të Rusisë. Kryetari i qeverisë ruse Vladimir Putin dhe miliarderi Mikhail Prokhorov ndanë me biznesmenët planet e veta në lidhje me arritjen e një ndryshimi cilësor të klimës së investimeve në vend.

Kandidatëve nuk iu desh të takohen personalisht dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin, sepse fjalimet e tyre u mbajtën me një diferencë prej dy orësh në Kongres. Prandaj “dueli” verbal doli me korrespondencë.

Në Kongresin e Bashkimit të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve të Rusisë tingëlloi thirrja për vendosjen e tatimit mbi pasurinë. Vladimir Putin deklaroi, në veçanti, si vijon:

- Rëndësia fiskale e tatimit mbi luksin nuk duhet ekzagjeruar. Gjëja më e rëndësishme është se ai do të ketë një rëndësi të madhe shoqërore dhe psikologjike. Është plotësisht e qartë gjithashtu se ky tatim nuk duhet të prekë klasën e mesme. Prandaj ne duhet të përcaktojmë në mënyrë jashtëzakonisht të saktë e korrekte ato parime dhe kritere, sipas të cilave do të vendoset ky tatim. Dhe kritere të tilla duhen përcaktuar në dialog të hapur me shoqërinë, me sipërmarrësit, biznesmenët.

Mikhail Prokhorov propozoi versionin e vet të mbështetjes së ekonomisë së vendit prej pakicës së siguruar nga ana materiale:

- Unë propozoj aplikimin e variantit të paketës sociale vullnetare. Të gjithë ne së bashku të depozitojmë në mënyrë vullnetare 1% nga të ardhurat personale dhe 0.2% nga të ardhurat e kompanive tona në Fondin Social. Përveç kësaj, ne mund të merrnim mbi vete zgjidhjen e disa probleme shumë të rëndësishme sociale. Ne mund të financonim laboratorët, të cilët janë të angazhuar me zhvillimin e metodave të kurimit të sëmundjeve onkologjike dhe kardiovaskulare. Ne mund të bëjmë gjithfarë projektesh. Dhe, mendoj, se vetëm një qasje e tillë do të na lejojë të rivendosim besimin në shoqëri.

Mikhail Prokhorov propozoi gjithashtu ndalimin për zyrtarët e qeverisë dhe anëtarët e familjeve të tyre që të merren me biznes privat me qëllim që të parandalohet marrja e ryshfeve nga ata. Është i nevojshëm reduktimi i presionit shtetëror mbi biznesin, - deklaroi ai.

Vladimir Putin gjithashtu bëri thirrje për luftë kundër korrupsionit, por propozoi minimizimin e presionit mbi biznesin në një mënyrë tjetër. Ai ofroi për të organizuar rishikimin e neneve të Kodit Penal që kanë të bëjnë me ndjekjen penale të sipërmarrësve.

Kryetari i qeverisë propozoi edhe një hap tjetër, i cili destinohet për të përmirësuar në mënyrë të ndjeshme gjendjen e thesarit të shtetit. Tashmë që prej shumë vitesh në Rusi kremtojnë për një kohë të gjatë (plot 10 ditë) festat e Vitit të Ri dhe në këtë periudhë praktikisht nuk punojnë fare të gjitha ndërmarrjet industriale, shumica e kompanive. Vladimir Putin vendosi t’i vërë veshin kërkesave të qytetarëve rusë dhe të rikthehet tek rregulli i mëparshëm në lidhje me kalendarin e festave:

- Mund të bëhet dhe kështu që t’i kufizojmë të gjitha festat e fundvitit dhe Krishtlindjeve, të themi, deri më 7 janar. Ndërsa ditët që mbetet nga pushimet dimërore të spostohen, për shembull, në maj - atë që duan njerëzit.

0Kjo do t’i vinte për mide jo vetëm rusëve të zakonshëm, por edhe biznesit. Në qoftë se do të shprehemi me gjuhën e shifrave, atëhere çdo vit vetëm për 10 ditët e festave të fundvitit dhe Krishtlindjeve ekonomia e Rusisë humbet rreth 840 miliardë rubla (gati 28 miliardë $).

Svetllana Andrejeva