Vitin që shkoi u bë e ditur, se Rusia ka për qëllim të ripërtërijë prodhimin e anijeve me jastëk ajri, të cilat në perspektivë do të përdoren për nevoja të strukturave të forcave të armatosura të vendit.

Anija me jastëk ajri (ekranoplan) përdor efektin aerodinamik të jastëkut të ajrit gjatë lëvizjes mbi ujë, apo mbi sipërfaqen e tokës. Ky aparat ka aftësi të rrëshqasë mbi sipërfaqe falë forcës ngritëse, e cila sigurohet nëpërmjet fryrjes së ajrit, i cili ushtron presion nën fundin e anijes. Më së shpeshti, ekranoplanët “fluturojnë” mbi sipërfaqen ujore, përderisa ajo është më sheshtë në lartësi, në krahasim me sipërfaqen tokësore. Ekranoplanët dallojnë nga anijet e tjera, përshembull nga motoskafët me jastëk ajri, apo nga anijet të tjera me krahë nënujorë, prej shpejtësisë shumë të madhe deri në 250 milje detare (463 km/orë).

Sergei Platonov, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës Qendrore të Konstruksionit( ZQK), që mban emrin Aleksejev, deklaroi se prodhimi në seri i ekranoplanëve rusë do të fillojë pas vitit 2015. Në rrjedhë të viteve 2010-2011 do të zhvillohet puna projektuese. Prej vitit 2012 fillon etapa e dytë, më e gjatë, e cila do përshkohet nga sprovat e konstruksionit dhe do të krijohet “një ekranoplan mjaft i madh”. Sipas Platonovit, në etapën e parë të ripërtëritjes së prodhimit të ekranoplanëve në Rusi  do të kemi përpunimin e  anijeve me ekuilibrimin e vëllimit të ujit në të njëjtën masë me trupin e tyre me një tonazh 50, 100 dhe 600 ton. Përndryshe, në mes të dhjetorit 2010, Zv.kryeministri i Rusisë, Sergei Ivanov deklaroi, se projekti i programit shtetëror të mbrojtjes për 2011-2020 nuk parashikon ndërtimin e ekranoplanëve.

Në BS prodhimi i anijeve me jastëk ajrifilloi më 1957 dhe u ndërpre në fillim të viteve ’90. Në vitet ’60,  ZQK-ja, që mban emrin Aleksejev krijoi dhe vuri në provë në Detin Kaspik ekranoplanin eksperimental, i mbiquajtur nga shërbimet speciale perëndimore “Monstra e Kaspikut”, sipas deshifrimit që i bënë zbulimet  e huaja inicialeve “KM” në bordin e anijes, e që në rusisht do të thotë “Karabël-maket” (Maket-anije). Ekranoplani kishte një gjatësi krahësh prej 37,6 m, një gjatësi prej afro 100 m, kurse tonazhi maksimal 544 ton. Më 1980 ky prototip anijeje pësoi avari dhe u mbyt, pas kësaj u mor vendimi për ndërprerjen e projektit.

Ekranoplanët më të njohur sovjetikë ishin anija transportuese-desantuese “Orlenok” (e prodhuar në pesë njësi) dhe ekranoplani goditës raketambajtës “Llunj” ( e prodhuar si ekzemplar i vetëm për Flotën e Detit të Zi në vitet ’90).

Igor Ostanin