Puna e trupit diplomatik në mbarë botën duhet të demonstrojë politikën e mirëkoordinuar shtetërore të Rusisë. Për këtë deklaroi Presidenti Dimitri Medvediev në takimin me përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme.

Në prag të Ditës së Diplomatit Dimitri Medvediev u takua me bashkëpunëtorët e MPJ, të cilëve iu dhanë gradat më të larta diplomatike - me zëvendësit e rinj të Ministrit të Jashtëm rus Mihaill Bogdanov dhe Igor Morgullov, me ambasadorët në Japoni, Zvicër, Spanjë dhe disa shtete të tjera si dhe me përfaqësuesit e përhershëm në organizatat ndërkombëtare.

Dimitri Medvediev i uroi bashkëpunëtorët e Ministrisë së Jashtme me rastin e festës së tyre profesionale dhe vuri në dukje se diplomacia që prej kohërave të hershme ka qenë bazë solide e shtetësisë ruse.

Presidenti konstatoi se punonjësit e Ministrisë së Jashtme janë të detyruar të punojnë në kushtet e një bote në ndryshim, të parashikojnë proceset globale dhe të njohin mirë gjendjen brenda vendit. Ai shprehu besimin se diplomatët rusë i kanë për këtë të gjitha aftësitë intelektuale dhe organizative. Prioritetet e politikës së jashtme të Rusisë u parashtruan në Mesazhin e fundit të Kryetarit të shtetit drejuar Asamblesë Federale, kujtoi Dimitri Medvediev. Pikërisht ato dhe duhet të jenë objektiva të diplomatëve, tha ai:

- Unë pres nga ju iniciativa të drejtuara për zgjidhjen e detyrave strategjike të shtetit. Në veçanti për të siguruar interesat tona jashtë vendit dhe për të garantuar sundimit e të drejtës ndërkombëtare, për të promovuar zgjidhjen e konflikteve përmes mjeteve politike dhe diplomatike, për të ndërtuar marrëdhënie partneriale me homologët e huaj mbi një bazë të barabartë e me përfitim të ndërsjelltë.

Presidenti theksoi se numri i konflikteve dhe situatave të mbarsura me krizë në botë nuk po reduktohet dhe për rregullimin e tyre nevojitet jo vetëm kompleti standart i mjeteve që përdoren zakonisht, por edhe qasja krijuese.

Dimitri Medvediev i bëri thirrje MPJ për të shfrytëzuar në mënyrë sa më aktive në punën e vet teknologjitë më të fundit, duke përfshirë edhe mundësitë e ofruara nga Interneti, si dhe vazhdimin e mbrojtjes së të drejtave të bashkatdhetarëve tanë jashtë kufijve të Rusisë. Në radhë të parë të atyre që u ndodhën në situatë të vështirë.

Kreu i MPJ Sergei Lavrov i shprehu mirënjohjen e vet Presidentit për masat e marra nga ai që synojnë rritjen e prestigjit të shërbimit diplomatik, duke përfshirë edhe rritjen e pensioneve të bashkëpunëtorëve të dikasterit.

0Ministri i Jashtëm Lavrov e siguroi Presidentin Dimitri Medvediev se cilësia e punës analitike dhe parashikuese si dhe iniciativat e dikasterit në drejtimet kyçe të politikës së jashtme do të rriten. “Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme janë “karikuar” tashmë për këtë”, - shtoi Sergei Lavrov.

Ilia Harllamov