Periudha e agjitacionit në fushatën presidenciale në Rusi është në kulmin e saj. Kandidatët dalin me debate jo vetëm në eterin e radios dhe televizionit, por dhe në prapa skenat e këtyre dueleve verbale (shpesh herë mjaft të tensionuara).

Gennadi Zyuganov, Vladimir Zhirinovski, Sergei Mironov dhe Mikhail Prokhorov tashmë arritën të debatojnë me njëri-tjetrin në eterin televiziv dhe t’u tregojnë qytetarëve rusë mbi programet e veta, me të cilat ata do të shkojnë në zgjedhjet presidenciale. Vladimir Putinin në këto debate e përfaqësojnë njerëzit e tij të besuar dhe ky fakt u bë objekt kritikash nga ana e kandidatëve të tjerë presidencialë.

Kështu, Vladimir Zhirinovski, të cilit iu desh të debatonte me një nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit, nuk nguroi të shprehë pakënaqësinë e vet në lidhje me faktin se nuk ka mundësi për të debatuar me vetë Kryeministrin rus. Të pakënaqur janë edhe kandidatët e tjerë. Biznesmeni Mikhail Prokhorov fillimisht bile refuzoi kategorikisht të takohet me pjesëmarrësit e Vladimir Putinit. Por të mërkurën deklaroi se do të pranojë të marrë pjesë në debate në qoftë se përfaqësuesi i Kryeministrit rus do të jetë “një personalitet i shquar”. Gennadi Zyuganov gjithashtu e dënon vendimin e Kryeministrit, por debatet me përfaqësuesit e tij nuk i refuzon në mënyrë që të mos humbasë “as edhe një pikë nga koha falas në eter”. Kurse Lideri i Partisë “Rusia e Drejtë” Sergei Mironov nuk dëshiron të debatojë në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv me përfaqësuesit e Vladimir Putinit, por shprehet i gatshëm të dërgojë në to njerëzit e vet të besuar.

Ndërkohë shërbimi për shtyp i Kryeministrit nuk pushon së shpjeguari: Vladimir Putin e mori një vendim të tillë meqenëse për pjesëmarrje në debate Kryetarit të qeverisë do t’i duhej çdo herë të kryente formalitetet si gjatë marrjes së lejes. Ndërsa kjo është e pamundur - obligimet dhe detyrat e Kryeministrit i marrin atij shumë kohë. Në KQZ nuk janë aspak kundër refuzimit të kandidatëve presidencialë për të marrë pjesë në debatet televizive, sepse pjesëmarrja e personave të autorizuar në aktivitetin agjitativ të fushatës elektorale në vend të vetë kandidatëve është në përputhje të plotë me ligjin.

Që para fillimit të fushatës agjitative gazetarët dhe analistët kanë shtuar pyetjen si vijon: A janë të afta vallë debatet televizive të kandidatëve presidencialë të ndikojnë në mënyrë të qenësishme në ratings e tyre? Në një kohë kur shumica e qytetarëve rusë i japin më shumë preferencë Internetit, se sa Radios dhe Televizionit. Nuk ia vlen të nënvleftësohet në këtë rast as roli i mediave të eterit dhe as i atyre të rrjetit Internet, shprehet me bindje të plotë analisti politik Aleksei Makarkin:

- Vetë fakti se Interneti po luan aktualisht një rol gjithnjë e më të rëndësishëm i shërben rritjes së interesit ndaj këtyre debateve televizive. Sepse në Internet ato mund të shikohen në çdo kohë, pa patur nevojë t’i përshtatesh programit televiziv. Këto janë mundësi suplementare.

0Përsa i përket ndikimit të debateve televizive në elektorat, duhet thënë, se ndaj tij janë shumë më të ndjeshëm votuesit e lëkundur, shprehen ekspertët. Sipas pikëpamjes së tyre, kjo vlen kryesisht për mbështetësit e “votimit të protestuar”, të cilët do të duhet të zgjedhin një nga katër figurat politike. Votuesit e Vladimir Putin i nënshtrohen më pak nga të gjithë lëkundjeve, kështu që edhe nëse rejtingu i Kryeministrit do të ndryshojë, përqindja do të jetë fare e vogël.

Andrei Smirnov