Rusia ka konfirmuar qëndrimin e saj ndaj ndërhyrjes së huaj ushtarake në punët e brendshme të Sirisë: kriza në këtë vend duhet të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut ndërsirian dhe zhvillimit të reformave demokratike.

Këto i premtoi Presidenti Bashar Al-Assad gjatë takimit në Damask me Ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov dhe Kreun e Shërbimit të Zbulimit të Jashtëm rus Mihaill Fradkov. Një nga rezultatet e drejtpërdrejta të kësaj vizite u bë vendimi i Lidhjes së Shteteve Arabe (LSHA) për të rikthyer në Siri misionin e vëzhguesve të vet. Për këtë njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon.

Problemi sirian u diskutua edhe në nivelin më të lartë. Menjëherë pas kthimit të delegacionit rus nga Siria, në Moskë u zhvilluan bisedat telefonike të Presidentit të Rusisë Dimitri Medvediev me Presidentin e Francës Nicolas Sarkozy dhe Kryeministrin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan. Kryetari i shtetit rus informoi kolegët e tij në lidhje me përpjekjet e Moskës që drejtohen për ndalimin sa më të shpejtë të gjakderdhjes në Siri me anë të fillimit të dialogut midis palëve konflituese dhe nxitjen e reformave demokratike në Siri. Dimitri Medvediev theksoi në mënyrë të veçantë rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për kapërcimin e krizës së brendshme siriane në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këshilli i Sigurimit tashmë që prej disa muajsh po përpiqet të miratojë rezolutën për Sirinë. Pikëpamja e Perëndimit, nga njëra anë, dhe pikëpamjet e Rusisë dhe Kinës, nga ana tjetër, nuk përputhen. Moska dhe Pekini kanë ndërmend të bëjnë gjithçka të mundur për të shmangur përsëritjen e skenarit libian në këtë vend dhe për të nxitur, stimuluar në Siri procesin e dialogut të brendshëm dhe reformave politike. Perëndimi me mbështetjen e disa vendeve të Lindjes së Mesme insiston me këmbëngulje për dorëheqjen e Bashar Al-Assad dhe inkurajon demonstratat e rebelimet e opozitës. Por gjatë kësaj Perëndimi nuk merr në konsideratë faktin se një pjesë e opozitës është e gatshme për dialog me autoritetet, edhe pse ekzistojnë forca me prirje ekstremiste që ndezin me qëllim zjarrin e konfliktit në vend.

Perëndimi me sa duket nuk nxorri mësime nga kriza e Libisë, e cila e çoi vendin në luftë civile dhe në grindje e përçarje ndërfisnore. Të gjitha këto janë pasojat e tmerrshme të ndërhyrjes ushtarake nga jashtë, tha Kryeministri rus Vladimir Putin në takimin me përfaqësuesit e konfesioneve fetare në Rusi. Ai theksoi se sirianëve duhet t’i jepet mundësia për të vendosur vetë fatin e tyre. Ndërkohë mediat perëndimore njoftojnë mbi gatishmërinë e Pentagonit për pajisjen me armë të grupeve të armatosura ilegale në Siri.

0Ndërkaq, me një qasje të balancuar e të urtë është plotësisht e mundur zgjidhja në mënyrë paqësore e krizës në Siri. Është e nevojshme vetëm dëshira e mirë e pjesëmarrësve të konfliktit për të ndaluar gjakderdhjen dhe për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

Aleksandër Vatutin