SHBA po rrisin praninë e vet ushtarake në Gjirin Persik, duke përfshirë në rrezen e saj edhe dy ishujt strategjike - Masirah i Omani dhe Socotra, i cili i përket Jemenit. Vendosja e pranisë në Socotra është bërë e mundur falë marrëveshjes personale të ish-Presidentit të Jemenit Saleh me Uashingtonin - një detaj të tillë interesant përmend portali i autoritetshëm analitiko-ushtarak izraelit DEBKA.

Jemeni ishte një nga vendet e para që u përfshi në vorbullën thëthitëse të revolucioneve arabe. Demonstratat masive me kërkesën e dorëheqjes së presidentit Saleh, i cili sundoi plot 30 vjet, filluan në shkurt 2011. Ai nuk nxitonte aspak për tu larguar nga pushteti dhe për këtë arsye atmosfera vinte duke u tensionuar. Deri në verë në kryeqytetin e vendit Sana'a janë zhvilluar beteja në rrugë. Më 3 qershor gjatë bombardimit të rezidencës presidenciale Saleh u plagos dhe u largua për kurim në Arabinë Saudite. Në vjeshtë, pas kthimit të tij dhe fillimit të protestave të reja, ai ia dorëzoi pushtetin zëvendësit të vet. Dhe ja këto ditë, në fund të janarit, ai fluturoi për në Shtetet e Bashkuara "për të vazhduar trajtimin mjekësor".

Portali DEBKA konfirmon se Uashingtoni ia ka refuzuar për një kohë të gjatë ish-Presidentit të Jemenit hyrjen në vend, por ndryshoi pozitën e vet kur Saleh ra dakord për rritjen e kontigjentit amerikan në Socotra. Sipas analistit politik rus Vladimir Jevsejev, largimi i ish-Presidentit do të ndihmojë në stabilizimin e situatës në Jemen, ku jeton një diasporë e madhe shiite, e cila është subjekt i ndikimit iranian. Amerikanët gjithashtu kanë vetëm përfitim nga situata e qetë në Jemen nëse ata kanë ndërmend të vendosin atje bazën e vet ushtarake. Në qoftë do të shtrojmë pyetjen - pse u duhet atyre ajo? - me sa duket, në Uashington pranojnë mundësinë e asaj se konfrontimi me Teheranin rrezikon të kalojë në fazën e armatosur, vazhdon Vladimir Jevsejev.

- Nga kjo pikëpamje prania e bazës është jashtëzakonisht e dobishme për shkak se vendet fqinje të Iranit - Iraku, Turqia, Turkmenistani, Afganistani - ose do të refuzojnë t’u vënë në dispozicion amerikanëve territoret e tyre, ose janë tejet të paqëndrueshme si vende.

Inxhinierët ushtarakë SHBA zbarkuan në Socotra në vitin 2010. Nën vellon e fshehtësisë jashtëzakonisht të madhe atje filloi të ngrihet një bazë e madhe ajrore, të ndërtohet vendankorimi për nëndetëset, qendrat e komandimit dhe shërbimit të inteligjencës, pistat e lëshimit për avionët e papilotuar (UAV). Kur Pentagonit i lindi nevoja për të rritur numrin e trupave në Socotra, atij iu desh një marrëveshje të re. Këtu dhe filloi pazarllëku me ish Presidentin Saleh.

0Sipas portalit DEBKA, aty nga mesi i shkurtit numri i trupave të SHBA vetëm në ishujt Socotra dhe Masirah do të arrijë deri në 50.000 veta. Kurse deri në mars në gjithë rajonin e Gjirit Persik do të përqendrohen 100.000 ushtarakë amerikanë - si para luftës me Irakun në vitin 2003. Nuk duhen lënë në harresë edhe aleatët - Britania e Madhe dhe Franca - forcat e të cilave janë përqendruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite. Në një situatë të tillë çdo provokim i armatosur nga ana e Iranit kërcënon të eskalojë në luftë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë në shfaqjen e urtësisë e mençurisë nga ana e të gjitha palëve dhe se përgatitjet ushtarake nuk do të pengojnë negociatat e ardhshme të "Gjashtëshes" së ndërmjetësuesve ndërkombëtarë (në të cilën hyjnë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania) me Teheranin mbi çështjen bërthamore.

Boris Pavlishiev