Sot politikanët kryesorë në Perëndim dhe në vendet arabe komentojnë aktivisht bisedimet e zhvilluara mbrëmë të Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov me Bashar Al-Assad. Në takimin në fjalë Presidenti i Sirisë shprehu gatishmërinë e vet për dialog me të gjitha forcat politike në vend dhe synimin për të shpallur në një kohë fare të afërt afatin e mbajtjes së referendumit mbi kushtetutën e re.

Në Perëndim mbajnë një qëndrim tejet skeptik ndaj këtyre deklaratave. Përfaqësuesit e opozitës siriane gjithashtu nuk shprehën ndonjë entuziazëm të madh në lidhje me to.

Ndërsa reagimi ndaj vizitës së delegacionit rus në Siri doli diametralisht i kundërt. U përsërit situata e krijuar pas votimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: kur Rusia dhe Kina bllokuan opsionin antisirian të rezolutës, në Damask u mbajtën tubime të shumta në shenjë mirënjohjeje ndaj Moskës. Edhe dje (më 7 shkurt) delegacioni rus u prit jo më pak ngrohtësisht, tregoi korrespondentja speciale e Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Olga Denisova, e cila shoqëroi së bashku me gazetarë të tjerë Ministrin e Jashtëm rus gjatë udhëtimit të tij në Siri:

- Në aeroport diplomatët rusë i priti një delegacion mjaft përfaqësues sirian, kurse në qendër të kryeqytetit disa mijëra veta u rreshtuan përgjatë rrugës së lëvizjes së kortezhit të Ministrit të Jashtëm rus me flamurët e Sirisë e Rusisë si dhe portretet e Bashar Al-Assad-it në duar. Policët mezi arrinin t’i përmbanin demonstruesit e emocionuar. Sa më shumë që i afrohej autokolona Pallatit presidencial, aq më ngadalë detyrohej të lëvizte ajo. Dhe kur lëvizja e kortezhit praktikisht u paralizua, ndërsa bashkëpunëtorët e ruajtjes së rendit thjesht dolën të pamjaftueshëm për të përmbajtur turmën, njerëzit filluan ta shoqërojnë vetë autokolonën e delegacionit rus duke u zënë dorë për dore e duke çarë përpara me qëllim që ti hapnin rrugën asaj.

Gjatë bisedimeve Bashar Al-Assad konfirmoi se është i gatshëm për dialog me të gjitha forcat politike të vendit. Dhe për arritjen e këtij qëllimi Moska u shpreh e gatshme të ofrojë ndihmën e vet. Në kryeqytetin rus mund të mbahet takimi ndërsirian dhe Assad shprehu gatishmërinë për të dërguar në të një delegacion zyrtar. I gjithë problemi konsiston në mosdëshirën e kundërshtarëve të regjimit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Njëri nga liderët e opozitës Kamal al-Labvani deklaroi për BBC se koha për kompromise me qeverinë ka kaluar tashmë. Në mënyrë po aq pesimiste u shprehën edhe SHBA.

Barack Obama në intervistën e vet dhënë kanalit televiziv NBC deklaroi se administrata amerikane do të vazhdojë ushtrimin e presionit mbi Bashar Al-Assad me qëllim që ta detyrojë atë të japë dorëheqjen. Por gjatë kësaj nuk përjashtoi edhe opsione shumë më radikale. Senatori John McCain, për shembull, propozoi furnizimin e rebelëve sirianë me armë.

Por, sipas mendimit të Presidentit të Institutit rus për Lindjen e Mesme Eugjeni Satanovski, Damasku është i gatshëm për t’i bërë një rezistencë kohëgjatë Perëndimit:

- Regjimi në Siri është mjaft i fortë, duhet thënë. Ai ka një bazë shumë solide ushtarake dhe mund t’i shkaktojë dëme serioze kundërshtarëve të vet. Ai është i gatshëm për një luftë kohëgjatë civile sipas modelit algjerian (në Algjeri ajo vazhdoi plot 8 vjet) për të parandaluar ardhjen e islamistëve radikalë në pushtet, të cilët do të shkatërrojnë vendin dhe do të ndërmarrin gjenocid ndaj të krishterëve, do të bëjnë pogrome e masakrim në masë të popullsinë shiite.

0Shumë analistë politikë kanë vënë në dukje se në mënyrë çuditërisht të qetë po sillet në situatën e tanishme Izraeli, i cili ka kufi të drejtpërdrejtë gjeografik me Sirinë. Sipas disa burimeve, Tel Aviv shprehet kundër rrëzimit të Bashar Al-Assad, sepse kjo do të destabilizojë situatën në rajon në sfondin e propabilitetit shumë të lartë të fillimit të luftës me Iranin.

Roman Mamonov