Shkarko audiofailin
Këto ditët e fundit faqet e mediave evropiane janë të mbushura plot me njoftime për furnizimet e mangëta të gazit rus në Evropë. Disa nga ato janë të shoqëruara me konkluzione që shkojnë shumë larg në lidhje me përkeqësimin e perspektivave të disa projekteve të “Gazprom” dhe bashkëpunimit ruso-evropian në sferën e gazit në përgjithësi.

Sipas deklaratës së Zëdhënëses së Komisionerit të BE-së për Energjetikën Oettinger - Marlene Holzner, në ditët e fundit vëllimet e furnizimeve të karburantit blu nga Rusia kanë rënë në nëntë shtete: në Poloni, Sllovaki, Austri, Hungari, Bullgari, Rumani, Greqi, Itali dhe Gjermani. Problemet me ndërprerjet e furnizimeve, ekzistencën e të cilave e pranuan edhe në “Gazprom”, filluan në mes të javës së kaluar. Siç sugjerohet nga disa ekspertë, ato u shkaktuan nga rritja e theksuar e konsumit të gazit në Rusi për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta, të papara në vend.

Zëvendëskryetari i Bordit drejtues të “Gazprom” Andrei Krugllov pranoi se për disa ditë Rusia zvogëloi vëllimin e furnizimeve të gazit në Evropën Perëndimore me rreth 10%. Por më pas, sipas fjalëve të Andrei Krugllov, vëllimet e furnizimeve të gazit u rikthyen në treguesit normalë. Megjithatë ai vuri në dukje se kompania “Gazprom” nuk mund t’i vërë në dispozicion konsumatorëve evropianë vëllimet suplementare të gazit të cilat u kërkuan nga ata. Në takimin më 4 shkurt me përfaqësuesit e Bordit drejtues të “Gazprom” Kryeministri rus Vladimir Putin vuri në dukje se në periudhën e motit shumë të ftohtë tregu i brendshëm është prioritet për gjithë industrinë e energjetikës të Rusisë.

Ndërkohë, po atë të shtunë, më 4 shkurt, mbi nomalizimin e vëllimeve të furnizimeve të gazit nga Rusia njoftoi Ministria e Energjetikës e Bullgarisë. Për rifillimin në masë të plotë të furnizimeve të gazit deklaroi edhe Polonia.

Siç raportoi më 5 shkurt Marlene Holzner, Rusia po rrit gradualisht furnizimet e gazit në vendet e BE-së. Ato, sipas fjalëve të saj, po vijnë duke u rritur në mënyrë graduale në Sllovaki, Austri, Itali, Rumani dhe Greqi, kurse në Hungari vëllimi i furnizimeve të karburantit blu u rivendos plotësisht.

Sipas mendimit të analistit rus të sferës së naftës dhe gazit të kompanisë së investimeve “Troika-Dialog” Valeri Nesterov, bile dhe në qoftë se incidenti mund të quhet si një lloj “mini-krize”, kjo nuk jep asnjë arsye për të folur mbi mungesën e besimit ndaj Rusisë si furnizuese:

- Reagimi nervoz ndaj kësaj gjoja “mini-krize”, - thotë Valeri Nesterov, - mund të shpjegohet me rrënjosjen e kahershme në mendësinë e një pjese të politikanëve dhe konsumatorëve evropianë të perceptimit se Rusia kërkon të arrijë vetëm përfitimin e vet. Ndërkohë, duhet thënë, se të gjitha problemet me ndërprerjen e furnizimeve të gazit rus në Evropë kanë vazhduar në total rreth 20 ditë. Kurse historia me furnizimet e pacen të gazit rus në Evropë numëron plot 40 vjet.

Oleg Severgin