Shkarko audiofailin
Evropa e Bashkuar kremton 20-vjetorin e Traktatit të Maastrihtit. Falë tij idetë e krijimit të hapësirës unike ekonomike, monedhës së përbashkët, të shpallura në vitin 1957 në Romë, gjetën mishërim konkret.

Udhëheqësit evropianë kanë ëndërruar për një politikë unike ndërkombëtare, mbrojtëse dhe sigurie, gjë kjo që gjeti pasqyrim në preambulën e Traktatit. Por realiteti objektiv ia ftohu disi zellin entuziastëve. Interesat kombëtare të fuqive të mëdha - Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë - nuk dëshironin të përkonin me kryeneçësi. Synimi për të folur me një zë të përbashkët në bashkësinë ndërkombëtare u fishk, u zvetënua në fazën embrionale pa arritur të dalë në dritë. Për këtë qëllim ishte e nevojshme që Londra dhe Parisi të hiqnin dorë nga vendet e veta të anëtarëve të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por në këto shtete as që donin të dëgjonin fare për këtë. Ndërsa shumë shpejt pas kësaj filloi të pretendojë edhe Berlini për një status të tillë.

Në dhjetor të vitit 1991 Franca dhe Britania e Madhe u përpoqën të zgjidhin problemin e ruajtjes së unitetit të Jugosllavisë - gjermanët me njohjen e tyre të pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë i vunë vizën të gjitha planeve. Ndërsa më pas për “ç’zë unik” mund të flitej kur filloi intervencioni i SHBA në Irak? Amerikanët atëhere përplasën ballë për ballë Evropën e “vjetër” me vendet rekrute të reja të BE-së.

Jo pa probleme doli në dritë në janar të vitit 1999 edhe Bashkimi Monetar Evropian. U deklarua qëllimi final: unifikimi, bashkimi i ekonomive të zonës së euros me një monedhë të vetme. Mbi atë se si po avancon ky proces tregon Vlladisllav Biellov, Drejtuesi i Qendrës për Studime gjermane të Institutit rus të Evropës:

- Po realizohet harmonizimi gradual i politikave ekonomike. Nuk është harmonizuar ende sfera e tatimeve dhe disa sfera të tjera. Zona e euros po bën vetëm hapat e para drejt bashkimit të politikës buxhetore (fiskale). Vendet morrën guximin për t’ia hyrë një eksperimenti tejet të vështirë dhe, duhet thënë, se në një masë të madhe arritën ta realizojnë atë. Po, me të vërtetë, vendet e BE-së janë duke lëvizur me shpejtësi të ndryshme, por gjëja më kryesore është ajo se shtetet periferike po avancojnë gjithashtu gradualisht. Eksperimenti meriton të vlerësohet me notë të mirë. Në përgjithësi, themeli i hedhur është i fortë.

Ish Kancelari i Gjermanisë Helmut Schimidt evidenton si mangësi thelbësore të Traktatit të Maastrihtit mungesën e karakterit ligjor ndërkombëtar të tij. “Në fakt, kjo është vetëm një deklaratë ndërqeveritare mbi qëllimet”, dhe për këtë arsye Traktati nuk ka forcë ligjërisht të detyrueshme për zbatim. Ndërsa planet për të formuar një hapësirë të përbashkët politike tani për tani mbeten vetëm në preambulën e Traktatit të Maastrihtit.

Sergei Guk