Shkarko audiofailin
Konferenca Ndërkombëtare e 48-të e Sigurimit u hap më 3 shkurt në kryeqytetin bavarez Mynih (më 18:00 sipas orës së Moskës). Për tri ditë hoteli “Oborri bavarez” do të shndërrohet në kështjellë të fortifikuar mirë: në ambjentet e brendshme të hotelit do të kuvendojnë kryetarët e shteteve, ministrat dhe ekspertët nga 60 vende të botës, ndërsa përtej mureve të tij do të vigjëlojnë policia, spajperët dhe do të shprehin në demonstrata anti-luftë qëndrimin e vet aktivistët shoqërorë.

Kryetari i Konferencës së Mynihut Wolfgang Ischinger konfirmon: “Forumi nuk është takim vjetor i lobit ushtarak. Siguria po zgjeron kufijtë - këtu përfshihen edhe kriza financiare, edhe energjia, edhe ndryshimet klimatike”. Megjithatë strategjia e re ushtarake e SHBA si dhe marrëdhëniet NATO-Rusi dalin sërish në plan të parë.

Problemi i mbrojtjes antiraket (MAR) vazhdon të mbetet një nga më kryesorët në marrëdhëniet midis Rusisë dhe partnerëve të saj perëndimorë, para së gjithash, SHBA dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s. Bile më tepër se kaq, problemi i MAR është quajtur në shumë nivele zyrtare në Rusi si temë kyçe e politikës së sigurisë ruse. Prandaj është plotësisht e natyrshme që kjo temë të tingëllojë në Konferencën e Mynihut, deklaroi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Dimitri Danillov, Shefi i Departamentit për Sigurinë Evropiane të Institutit rus të Evropës:

- Është e qartë se situata në momentet aktuale ka hyrë në udhë pa krye, në qorrsokak të plotë, thotë eksperti. Rusia nuk pranon të zhvillojë konsultime të mëtejshme me SHBA dhe NATO-n pa diskutimin apriori të gjërave që kërkon Moska - dhënien e garancive ligjore që sistemi i ri i MAR nuk do të kërcënojë forcat strategjike dhe interesat e Rusisë. Kurse Shtetet e Bashkuara, nga ana e vet, për shumë arsye e quajnë të pamundur këtë. Në një situatë të tillë është vështirë të thuhet nëse mund të gjenden ndofarë rrugëzgjidhjesh. Bile më tepër se kaq, pozita ruse në fund të vitit 2011 u bë akoma dhe më e rreptë. Presidenti Dimitri Medvediev bëri publike masat që do të jetë e detyruar të marrë Rusia për shkak të faktit se nuk u arrit në marrëveshje në lidhje me krijimin e sistemit të përbashkët të mbrojtjes antiraket me SHBA. Kjo pozitë e rreptë e bën akoma dhe më të vështirë arritjen e përparimit apo progresit në të ardhmen dhe, sipas mendimit tim, nuk ka gjasa që Konferenca e Mynihut të ndryshojë ndonjë gjë në kahun pozitiv këtu, - shprehet eksperti rus Dimitri Danillov.

 Bashkë me këtë, sipas mendimit të Zëvendëskryeministrit të Federatës Ruse Dimitri Rogozin, nuk është humbur ende shansi për arritjen e njëfarë avancimi në këtë drejtim. “Unë shpresoj që evropianët të arrijnë të perceptojnë se nuk mund të zbatojnë verbërisht idenë e vendosjes së strukturës së huaj ushtarake në tokën e vet”, - deklaroi ai këto ditët e fundit. “Në qoftë se amerikanët do të heqin dorë nga dislokimi i bazave të veta të MAR në Poloni aty nga vitit 2018, nga vendosja e armëve të preçizionit të lartë në vitin 2020 dhe aq më tepër nga dislokimi i flotës së vet në detet veriore, atëhere nuk do të ketë dhe masa tekniko-ushtarake kundërpërgjigje nga ana e Rusisë, të cilat u parashtruan në deklaratën e Presidentit Medvediev”, - konkludoi Dimitri Rogozin.

Natalia Pavllova