Në Egjipt është shpallur Zi triditore kombëtare në lidhje me tragjedinë që ndodhi në stadiumin e qytetit Port Said. Atje gjatë përleshjeve të tifozëve të futbollit gjetën vdekjen më shumë se 70 veta dhe rreth 1000 të tjerë u plagosën.

Kjo ishte një ndeshje e zakonshme e kampionatit kombëtar të futbollit të Egjiptit midis klubit lokal “Al-Marsy” dhe klubit kryeqytetas “Al-Ahly”. Por pas përfundimit të lojës tifozët e “Al-Marsy”, i cili mundi rivalët me rezultatin 3:1, vendosën ta konfirmojnë rezultatin me vënien e grushtave në përdorim. Ata dolën me revan në fushë dhe iu vërsulën lojtarëve, tifozëve dhe trajnerëve të skuadrës që humbi ndeshjen. Filloi kacafytja e përgjakshme. Doli se tifozët kishin me vete thika dhe fishekzjarre.

Duke parë masakrën që nisi mijëra spektatorë të tmerruar vërshuan me nxitim drejt daljes nga stadiumi. Pikërisht atje, pranë portave, dhe filloi përleshja gjatë së cilës u vranë shumë adhurues të futbollit. Gjatë kësaj kohe, siç thonë dëshmitarët okularë, policia qëndroi krejtësisht indiferente. Vetëm kur situata u bë me të vërtetë katastrofike forcat e sigurisë u përpoqën të ndihmojnë për evakuimin e njerëzve dhe arrestimin e disa prej pjesëmarrësve të kacafytjes. Arsyeja e mosveprimit, indiferencës së policëve konsiston në vetë faktin, se kur u rrëzua regjimi i Hosni Mubarak policia u ndodhën në një pozitë shumë të vështirë, të rrezikshme, thotë analisti politik orientalist rus Georgi Mirski:

- Një vit më parë, kur shpërtheu revolucioni, policia iu nënshtrua persekutimeve. Ishte fare evidente gjatë kësaj se njerëzit silleshim me respekt ndaj ushtisë, por urrenin për vdekje policinë. Sepse policia u fsheh atëhere. Për policët në atë kohë ishte madje e rrezikshme dhe të dukeshin në rrugë, sepse ata, thjesht, mund t’i vrisnin. Që atëhere shumë gjëra u rivendosën, por qëndrimi ndaj policisë vazhdon të mbetet tejet negativ në Egjipt.

Përveç kësaj, gjithnjë e më shumë kritika po tingëllojnë në adresë të ushtarakëve, të cilët drejtojnë aktualisht Egjiptin. Dhe në qoftë se në vitin e kaluar autoritetet u kritikuan për ndërsimin e policisë kundër popullit, tani Këshillin Suprem të Forcave të Armatosura, në të kundërtën, e fajësojnë se nuk bëri asgjë për të parandaluar trazirat.

Natën e kaluar në rrugët e Kajros dhe një sërë qytetesh të tjera të vendit dolën mijëra egjiptianë për të nderuar kujtimin e viktimave të tragjedisë. Në Suez shpërthyen përleshje mes policisë dhe tifozëve të klubit “Al-Ahly”. Për shpërndarjen e turmës ruajtësve të rendit iu desh të përdorin granatat me gaz lotsjellës. Në qytetin Port Said me qëllim të parandalimit të trazirave popullore u futën nënrepartet ushtarake.

0Kurse përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike tashmë kërkuan nga Asambleja Kombëtare (Dhoma e Ulët e Parlamentit) marrjen e vendimit për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Kamal al-Ganzuri. Me sa duket fusha e futbollit u bë një platformë mjaft e përshtatshme për tentativat për rishpërndarjen e pushtetit në vend.

Natalia Kovalenko