Rusia ka konfirmuar edhe një herë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se do të votojë kundër rezolutës për Sirinë, në qoftë se do ta konsiderojë atë si të gabuar dhe të tillë që mund të përkeqësojë konfliktin në vend. Kriza e brendshme politike ka ende mundësi që të kapërcehet, tha Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB Vitali Çurkin. Palët konfliktuese kanë se përse të flasin midis tyre, por për këtë qëllim duhet filluar dialogu.

Ekzistojnë edhe dy projektrezoluta - ruse dhe marokene. Kjo e fundit u paraqit zyrtarisht nga delegacioni i Marokut, kurse jo zyrtarisht u përgatit me pjesëmarrjen aktive të Francës dhe disa vendeve arabe që nuk janë anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Maroku është i vetmi vend arab i përfaqësuar në Këshillin e Sigurimit. Në dokumentin e propozuar nuk është përjashtuar edhe ndërhyrja ushtarake nga jashtë në Siri. Me këtë Rusia nuk do të pajtohet kurrë. Në tekstin e rezolutës së sipërpërmendur marokene mbështetet gjithashtu plani i Lidhjes së Shteteve Arabe, sipas të cilit Presidenti Bashar Al-Assad duhet të japë dorëheqjen dhe t’ia transferojë pushtetin e vet Zëvendëspresidentit të vendit, sqaroi Vitali Çurkin:

- Në mënyrë si tepër të detajuar, sipas mendimit tonë, është përshkruar ajo se si duhet të përfundojë ky proces politik. Në iniciativën e Lidhjes së Shteteve Arabe ka gjetur pasqyrim jo vetëm mënyra e duhur e krijimit të qeverisë së unitetit kombëtar në Siri, por flitet, për shembull, edhe për atë se si duhet të bashkëveprojë ajo me zëvendëspresidentin, se çfarë çështjesh duhen zgjidhur në radhë të parë. Kjo është një qasje e tillë, e cila, së pari, u hodh poshtë nga Damasku. Ky realitet nuk mund të shpërfillet. Dhe, sigurisht, shtrohet pyetja: përse duhet të zhvillohet dialogu në qoftë se është parapërcaktuar tashmë se si duhet të përfundojë ai? Lidhja e Shteteve Arabe ka të drejtë të shprehë mendimin, gjykimin e vet. Por ne nuk mund të injorojmë faktin se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, thjesht, nuk ka autoritet ligjor për t’i diktuar shteteve konkrete se çfarë vendimesh politike duhet të marrin popujt e këtyre vendeve, bile dhe kur ato ndodhen në situata të mbarsura me krizë. Këshilli i Sigurimit nuk mund të miratojë një rezolutë të tillë, në të cilën të përcaktohet se filan mbret apo filan kryeministër duhet të japë dorëheqjen. Këtu ka shumë për folur e për të diskutuar, por për këtë qëllim fillimisht duhet të lidhet dialogu.

0Ia vlen të kujtohet në këtë rast, se Rusia është shprehur e gatshme të pranojë në vend zhvillimin e negociatave të palëve konfliktuese siriane. Por në qoftë se autoritetet e Sirisë e kanë konfirmuar pëlqimin e vet për pjesëmarrje në takimin e propozuar, Kreu i Këshillit Kombëtar Sirian (KNS) Burhan Ghalion ka paraqitur disa kushte. Dhe kësaj here jo Damaskut zyrtar, por Moskës. Ai do të vijë për pjesëmarrje në procesin negociator nëse Rusia do të bjerë dakort për dorëheqjen e Presidentit Bashar Al-Assad. Ndërsa në Moskë mendojnë se negociatat duhet të fillojnë pa parakushte.

Olga Denisova