Kryeministri Vladimir Putin mori një ditë të vetme pushimi me qëllim që si kandidat për president të Rusisë të takohet me juristët e rinj, të cilët kanë krijuar trupin e vëzhguesve të paravurur. Ata kanë në plan të punojnë më 4 mars në zgjedhjet presidenciale.

Kryeministri rus vuri në dukje se do t’u dorëzojë me kënaqësi të madhe përfaqësuesve të këtij korpusi mandatet e vëzhguesve “nga kandidati presidencial Vladimir Putin”.

“Ne, juristët, i nënshtrohemi vetëm kërkesave të ligjit dhe do të fiksojmë të gjitha shkeljet pavarësisht nga fakti se në favor të cilit kandidat janë kryer ato”, - e paralajmëruan vëzhguesit Vladimir Putinin.

Këtij paralajmërimi Kryeministri rus iu përgjigj, se ai vetë nuk është aspak i interesuar për gjithfarë falsifikimesh:

- Detyra jonë e përbashkët është evidentimi i rezultateve të vërteta të zgjedhjeve. Vetëm duke u bazuar mbi shprehjen e vullnetit të lirë, të vërtetë të popullit autoritetet do të jenë në gjendje të zgjidhin ato detyra me të cilat përballet aktualisht vendi. Dhe unë nuk do të punoj nëse nuk do të siguroj dot këtë mbështetje të popullit. Kjo do të thotë për mua se qytetarët e vendit tonë e dorëzojnë me vullnetin e vet fatin e Rusisë në duar të tjera dhe se duhen ndihmuar këta njerëz që të zgjidhin ato detyra që shtrohen përpara vendit. Unë kam ndërmend të veproj pikërisht kështu, në qoftë se ndodh një gjë e tillë.

Fjalë u bë edhe për vëzhguesit e huaj. Njëri nga pjesëmarrësit e takimit kujtoi se në SHBA, për shembull, në përgjithësi nuk e pranojnë një institucion të tillë si vëzhguesit e huaj, duke e cilësuar procesin zgjedhor si punë të brendshme të vendit të vet. Përse duhen në Rusi vëzhguesit e huaj? Me këtë pyetje iu drejtua i riu Vladimir Putinit.

Kryeministri rus vuri në dukje se prezenca në zgjedhjet në Rusi e vëzhguesve të huaj do të rrisë besimin ndaj vendit tonë.

- Shkalla e besimit do të rritet në qoftë se ne do të jemi të hapur për njeri-tjetrin. Por, sigurisht, ne kemi plotësisht të drejtë të kërkojmë që këta vëzhgues, të cilët ne i lejojmë të vijnë në qendrat tona të votimit, të jenë objektivë. Dhe unë shpresoj shumë pikërisht për një punë të tillë nga ana e tyre në zgjedhjet presidenciale. Megjithëse mua, gjithashtu, më lindin shumë pyetje. Në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Rusi, për shembull, Organizata ODIHR nuk ka marrë ende asnjë vendim, kurse disa kolegë amerikanë tashmë shprehen se zgjedhjet nuk ishin të ndershme dhe transparente. Këto janë shenja krejtësisht të dukshme paragjykimi.

0Vladimir Putin vuri në dukje gjithashtu se për garantimin e pastërtisë së zgjedhjeve do të shfrytëzohet një kompleks i tërë masash, duke përfshirë edhe ato teknike. Kështu, të gjitha 90 mijë qendrat e votimit në vend do të pajisen me kuti transparente votimi dhe web kamera. Çdokush që dëshiron do të ketë mundësi të ndjekë procesin e votimit më 4 mars në portalin e posaçëm në Internet, i cili do të fillojë të funksionojë në këto ditët e afërta.

Svetllana Kallmikova