Shkarko audiofailin
Konferenca e Munihut për Sigurinë mund të bëhet ndërmjetëse në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese midis Rusisë dhe NATO-s për çështjen e mbrojtjes antiraket (MAR). Siç deklaroi Kryetari i Konferencës Wolfgang Ischinger, në forumin ndërkombëtar do të parashtrohet propozimi përkatësisht MAR, i cili do të mund të kënaqë të dyja palët.

Një njoftim i tillë i bujshëm, sensacional u duk në faqet e botimit “Handelsblatt” në prag të Forumit të përvitshëm të 48-të ndërkombëtar për problemet e Sigurisë, i cili do të hapet më 3 shkurt në Munih.

Moment kyç në variantin e ri të kompromisit, sipas fjalëve të Wolfgang Ischinger, do të bëhet shkëmbimi i të dhënave dhe vlerësimi i përbashkët i tyre. Gjatë kësaj sistemet e MAR nuk do të bashkohen, meqenëse kundër një hapi të tillë del Uashingtoni, i cili ia ka frikën transferimit të teknologjive. Njoftimin e koordinatorit të Forumit, i cili gëzon një autoritet mjaft të gjerë ndërkombëtar, të gjithë ekspertët nuk nxitojnë megjithatë ta vlerësojnë si hop, avancim në procesin negociator. Igor Korotçenko, Kryeredaktor i revistës ruse “Mbrojtja Kombëtare”, në vlerësimet e tij është kategorik:

- Rusia e ka deklaruar në mënyrë të përsëritur pozitën e vet, - thotë eksperti rus. - Asaj i duhen garanci ligjërisht të detyrueshme për mosdrejtimin kundër saj të sistemit evropian të mbrojtjes antiraket. Nga pikëpamja praktike kjo do të thotë se pozicionet e startit të antiraketave duhet të spostohen, të distancohen nga kufijtë rusë deri në rrezen e përdorimit të tyre operacional. Ky është kushti i vetëm me plotësimin e të cilit Rusia është e gatshme të pranojë dislokimin e sistemit evropian të mbrojtjes antiraket. Përsa i përket propozimeve të ndryshme, duke përfshirë edhe idenë e krijimit të qendrave për shkëmbimin e të dhënave, ato, sigurisht, nuk do të lihen jashtë vemendjes. Por pozita parimore e Rusisë mbetet e pandryshuar.

Që në mes të vitit të kaluar Wolfgang Ischinger, në artikullin e tij botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, bëri thirrje për përfshirjen e Rusisë në krijimin e sistemit evropian të mbrojtjes antiraket në kushte të barabarta dhe me marrjen në konsideratë të interesave ruse. Njoftimi i tanishëm mbi një kompromis të ri është i iniciuar gjithashtu po nga ai dhe jo prej Uashingtonit zyrtar apo Brukselit. Megjithatë Igor Korotçenko nuk shikon asnjë ndryshim në këtë fakt:

- Mund të artikulojnë sa të duan nga çdo platformë - qoftë nga Uashingtoni, qoftë nga Tokio, apo nga Munihu, - thotë Igor Korotçenko. - Për sa kohë që SHBA dhe NATO nuk do të fillojnë t’i shqyrtojnë këto çështje në aspektin praktik, Rusia do të vazhdojë të ndërmarrë masat që u bënë publike pak kohë më parë nga Presidenti Dimitri Medvediev. Ndër to mund të përmenden, në veçanti, vendosja e komplekseve të raketave taktike-operative “Iskander” në rajonin e Kaliningradit dhe në jug të Rusisë si dhe riorientimi i një pjese të potencialit ushtarak strategjik për asgjësimin e objekteve të mbrojtjes evropiane antiraket në rastin e shpërthimit të ndonjë konflikti hipotetik ushtarak.

Oleg Severgin