Marrëdhëniet e SHBA-ve me Irakun janë nën kërcënim nga avionët pa pilotë amerikanë. Pushtetarët në Irak pohojnë se aparatet zbulues po fluturojnë pa leje në territorin e vendit të tyre dhe kjo kërcënon jo vetëm sigurinë e qytetarëve, por edhe sovranitetin shtetëror të Irakut.

Autoritetet amerikane thonë të kundërtën, se në Irak po përdoren vetëm aparate fluturues “diplomatikë” pa pilotë. Ato fluturojnë në lartësi të ulët dhe mbledhin informacion mbi trafikun përgjatë rrugës së autokolonave.  Irakenët nuk tërhiqen dhe sjellin ndërmend shembullin e Pakistanit, ku aparatet pa pilotë shfrytëzohen për gjuetinë ndaj talebanëve, por ndonjëherë godasin banorët paqësorë. Veç kësaj, ata ndruhen se  fill pas aparateve zbulues do të shfaqen avionët luftarakë pa pilot, shprehet eksperti i Qendrës së Sigurisë Ndërkombëtare, pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, Pjotër Topiçkanov:

- Kuptimi i “aparatit fluturues diplomatik pa pilot” ngjall habi. Cështja është se, cfarë detyrash kryen ai. Duket qartë se në rastin e Irakut fjala është për qëllime zbulimi. Më tutje lind pyetja: për çfarë mund të shërbejë kjo më pas? Irakenët supozojnë, se fjala është për të dhënë goditje.

Shqetësimi i palës irakene është i kuptueshëm. Në vitin 2011 përfundoi tërheqja e trupave ushtarake nga Iraku, ndonëse disa specialistë e quajnë këtë operacion  si “rebranding” (ripozicionim). Në territorin e vendit gjendet, si edhe me parë, një grupim ushtarak, jo i shumtë në numër, me përbërje prej 5000 trupash, në rojë të ambasadës amerikane. Gjithashtu, SHBA-të nuk e kanë ndërprerë sponsorizimin e qeverisë irakene. Nga ana e tyre, irakenët, duke pranuar ndihmën e amerikanëve, ndruhen se ata përsëri do të fillojnë të ndërhyjnë aktivisht në politikën e vendit, deklaroi Pjotër Topiçkanov:

- Për SHBA-të, Iraku është shndërruar në poligon, ku u vu në provë mekanizmi i përhapjes së parimeve të drejtimit politik, karakteristike për vendet perëndimore. Ndërrimi i regjimit, krijimi i instituteve të reja të pushtetit, ndryshimi i plotë i paradigmës (modelit) të drejtimit të shtetit, të gjitha këto pra, u vunë në përdorim në Irak pas përmbysjes së Sadam Hyseinit. SHBA-të e shikojnë Irakun me shpresë, si një shtet i cili do të shërbejë për vendet e Lindjes së Mesme si shembull i proçesit të demokratizimit. Në mënyrë të tërthortë, ky poligon ndikoi mbi vendet e tjera dhe mbi ato proçese, të cilat në shtyp i quajnë, tashmë, “pranvera arabe”.

Espertët janë të bindur, se SHBA-të po përpiqen të shurdhojnë skandalin e tanishëm me avionët pa pilot dhe zyrtarisht do kërkojnë nga autoritetet irakene lejen për përdorimin e tyre. Dhe shkaku kryesor i kësaj lidhet me zgjedhjet presidenciale në SHBA. Por pas nëntorit 2012 ka të ngjarë që qëndrimi amerikan të ndryshojë, sidomos, nëse kolltuku presidencial i kalon përfaqësuesit të Partisë Republikane.

Anastasia Pershkina