Forcat qeveritare të Sirisë morën rrethinat lindore të Damaskut, pas disa orë luftimesh me opozitën e armatosur. Kjo e fundit, nga ana e saj, deklaroi se bëri një zbrapsje taktike.

Ballafaqimi në rrethinat e Damaskut filloi të dielën. Luftëtarët, ndër të tjera, u përpoqën të ndërpresin rrugën për në aeroport. Pushteti vuri në veprim tanket dhe autoblidat, për të eliminuar zjarrin e tyre. Sipas të dhënave të fundit, si rezultat i operacionit mbetën të vrarë më shumë se 60 persona.

Për shkak të rritjes së nivelit të dhunës në Siri, Liga e Vendeve Arabe (LVA), të shtunën e kaluar deklaroi ndërprerjen e punës së misionit të vëzhguesve të saj. Rusia shprehu shqetësimin e saj lidhur me këtë hap.

Në të njëjtën kohë, Moska deklaroi se projektrezoluta e KS-së së OKB-së është e papranueshme për të me propozimet e bëra nga vendet perëndimore dhe arabe. Ajo nuk është e balancuar dhe lë një shteg hapur për ndërhyrje nga jashtë në punët e Sirisë. Përsëritja e skenarit libian nuk është e mundur kurrësesi.

Rusia ka deklaruar tashmë, se do ta mbështeste një rezolutë të OKB-së, vetëm në rast se në të do fiksohen qasjet parimore të Moskës, sa i përket rregullimit të konfliktit në Siri. Ato janë: të mos pranohet dhuna nga cilado palë që e ushtron; t’i bëhet thirrje pushtetit dhe opozitës për t’u futur në dialog; të mos lejohet ndërhyrja nga jashtë në punët e Sirisë, apo ndërmarrja e sanksioneve, sikurse kërcënimi me anë të tyre. Aq më shumë, nëse përsëri do aktivizohen thirrjet për dorëheqjen e Bashar Asadit. Aleksei Podcerob, i Institutit të Studimeve Orientale mendon si vijon:

-Po përse Asadi duhet të largohet nga pushteti? Sipas të dhënave të Institutit tonë, jo më pak se 60% e sirianëve e mbështesin tani Asadin. Kurse ata që janë aktivë kundër tij, nuk përbëjnë 40% të popullatës, janë shumë më pak. Përse LVA-ja, KS-ja e OKB-së,, apo disa fuqi të tjera të huajaduhet të përcaktojnë se cili qeveritar qenka legjitim dhe cili jo? Ajo që propozojnë, sot për sot, vendet perëndimore dhe një rradhë vendesh arabe me anë të rezolutës është rruga e destabilizimit të mëtejshëm të situatës në Siri. Për më tepër, që atje ka filluar një luftë civile masive. Hë për hë, atje hasen fragmente të veçuara të grupeve terroriste. Dhe në Siri s’ka për të qenë si në Libi, me 50.000 të vrarë.

Pritet që të martën KS-ja e OKB-së të marrë në shqyrtim edhe një herë rezolutën për Sirinë. Në tetor, Rusia dhe Kina vunë veton në skemën e rregullimit të konfliktit në Siri, si e papranueshme për to. Me sa duket, beteja në OKB për Sirinë e re vazhdon.

Konstantin Garibov