Viti 2012 premton të jetë fort i ndërlikuar, sfidues për diplomacinë ndërkombëtare. Nuk po arrihet të shuhen dot vatrat e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, po ashtu si dhe të vlerësohen pasojat e këtyre ndryshimeve. Në të njëjtën kohë në disa vende - në Rusi, SHBA, Francë, Finlandë, Iran, Egjipt - në vitin 2012 do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Sipas mendimit të Zëvendëskryetarit të parë të Komitetit të Dumës Shtetërore për Çështjet Ndërkombëtare Konstantin Kosaçov, këtë vit shanset për një zgjidhje të lumtur të konflikteve ndërkombëtare rajonale janë shumë të vogla. Sipas mendimit të tij, të cilin ai e shprehu në intervistën dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë”, fushatat zgjedhore krijojnë komplikacione suplementare në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare:

- Unë nuk mund të çlirohem dot nga ndjesia që provoj në lidhje me faktin se gjithçka që po ndodh rreth Iranit e Sirisë, disa veprimeve në Afganistan, Irak, prej nga ku u tërhoqën para pak kohësh ushtarët amerikanë, po ndodh jo sepse kështu po zhvillohet situata në Iran, në Siri, në Irak apo në Afganistan. Por sepse është e lidhur me fushatën paraelektorale të Barack Obama - nëse do të tërheqë, do të ndjellë kjo votat e elektoratit apo, përkundrazi, do të veprojë kundër rizgjedhjes së tij. Për nga pikëpamja e politikës së jashtme ne do të bëhemi pengje të kësaj dhe fushatave të tjera zgjedhore. Keqësimi i marrëdhënieve franko-turke është gjithashtu aspekt i politikës së brendshme të Francës, përgatitje për zgjedhjet presidenciale të prillit të vitit 2012. Në Iran zgjedhjet do të zhvillohen në mars të këtij viti. Në këtë vend po mendojnë tani se si të dilet nga situata e tanishme që rezulton si një udhë pa krye - të bashkëpunojnë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA) apo jo.

Moska do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e veta me qëllim që zhvillimi i ngjarjeve të ndjekë një rrugë paqësore dhe jo atë të acarimit e përkeqësimit të mëtejshëm. Në këtë situatë Rusia po del në rolin e një faktori të veçantë frenues, vuri në dukje Konstantin Kosaçov:

0- Nuk dua aspak të dukem pesimist, por situata, duhet thënë, është me të vërtetë shumë e komplikuar, e vështirë. Dhe nga diplomacia ruse, nga udhëheqja ruse në këtë rast do të kërkohet shumë - edhe aftësi politike, edhe art diplomatik. Unë do të dëshiroja të theksoja një gjë mjaft principiale, themelore. Sepse viti 2012 është vit i zgjedhjeve presidenciale në Rusi. Dhe unë jam mëse i bindur se zgjedhjet tona me siguri të madhe (100%) nuk do të ndërlikojnë implementimin e politikës sonë të jashtme. Sepse politika jonë e jashtme, për fat të mirë, nuk është koniunkturale, oportuniste, nuk është e ndërlidhur me ndofarë qëllimesh elektorale. Ajo ndjek si pikësynim zgjidhjen e detyrave të politikës së brendshme të vendit. Unë jam i bindur se politika e jashtme ruse do të ruajë me siguri qëndrueshmërinë, vijueshmërinë dhe parashikueshmërinë e vet edhe pasi zgjedhjet presidenciale të 4 marsit të hyjnë në histori.

Olga Denisova