Shkarko audiofailin
Rregullat e reja të sjelljes së vendeve të BE-së, të cilat në margjina janë quajtur tashmë pranga, samiti i Bashkimit Evropian i miratoi me një shpejtësi tejet befasuese për të gjithë. Por janë vallë vërtet të reja ato? Olli Rehn, Komisioneri i BE-së për Ekonomi dhe Financa, nuk i quan si të tilla këto rregulla.

Edhe disiplina buxhetore, edhe sanksionet për shkelësit, edhe kërkesat për të hequr qafe zgjedhën e borxheve, edhe ndihma për partnerët që po fundosen - të gjitha këto nuk janë gjëra të reja. Ato janë diskutuar tashmë në dhjetë samitet e mëparshme në nivel të lartë. Dhe prandaj në të njëmbëdhjetin u votuan shpejt e shpejt.

Nuk kaloi puna edhe pa ndryshimin e fasadës: u rreptësuan kërkesat e mëparshme. Gjobat financiare për shkelësit e disiplinës buxhetore do të vendosen nga gjykatat dhe do të shfrytëzohen për qëllime të mira - për të kapërcyer krizën. Vërtetë, vetëm pas procedurës së gjatë të identifikimit, përcaktimit të faktit të shkeljes së ligjit.

Komisioni Evropian do të zhvillojë procedurën e auditimit, do të raportojë, kurse paraqitja e peticionit në gjykatë për partnerin e vet në BE është një e drejtë e shkruar për vetë vendet e aleancës. Por edhe këtu u zbulua një shteg për manovrim: “shumica e kualifikuar” e ministrave të financave të pjesëmarrësve të Paktit gëzon të drejtën e faljes së shkelësit të ligjit.

Ekspertët evropianë kanë gjetur edhe shtigje, difekte të tjera në këtë dokument. Dhe të gjitha ato të marra së bashku shumëzojnë me zero efektivitetin e sanksioneve të Paktit të Stabilitetit. Më tepër deklarative duket dhe deklarata që kërkon nga pjesëmarrësit e disiplinës së rreptë buxhetore, përveç të tjerash, edhe stimulimin e njëkohësishëm të rritjes ekonomike. Anëtari i Këshillit Kombëtar Bankar të Rusisë Pavell Medvediev e vlerëson postulatin si “paradoksal”:

- Në të ardhmen e afërt ata nuk do të jenë në gjendje që t’i kombinojnë dot këto kërkesa, ata do të jenë të detyruar të zgjedhin. Mendoj se do të zgjedhin ata disiplinën. Pa të është e pamundur të arrihet çdo kursim dhe, thjesht, është e pamundur të kontrollohet ky ekonomizim. Unë mendoj se të gjithë janë frikësuar shumë nga rrjedha e tanishme e ngjarjeve. Për shembull, në Spanjë papunësia ka arritur përmasa jashtëzakonisht të mëdha, drastike, mund të thuhet.

Është vështirë të besohet që Pakti fiskal të ndihmojë për të përballuar krizën e borxheve, shprehen me bindje të plotë ekspertë të autoritetshëm evropianë. Të paktën për vetë faktin se deri në përcaktimin e politikës uniforme financiare Bashkimi Evropian është ende shumë larg. Por megjithatë ai do të ushtrojë me siguri një ndikim pozitiv në situatën në BE. Natyrisht me kalimin e kohës.