Norvegjia ka ndërmend të bllokojë hyrjen e Kinës në rolin e vëzhgueses së përhershme në Këshillin e Arktikut. Për këtë, me referim tek burimet në MPJ të Norvegjisë, njoftoi gazeta norvegjeze “Aftenposten”.

Norvegjia do të dalë kundër pjesëmarrjes me përmasa të plota të Republikës Popullore të Kinës në Këshillin e Arktikut për sa kohë që Pekini nuk do të pranojë rivendosjen e kontakteve zyrtare me Oslon në nivel të lartë. Marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve u ndërlikuan në vjeshtë të vitit 2010, kur disidentit kinez Liu Xiaobo iu dha Çmimi Nobel për Paqe. Ky vendim i Komitetit norvegjez të Nobel-it shkaktoi protesta të rrepta, mjaft të mprehta nga ana e Pekinit, megjithëse më parë marrëdhëniet midis dy shteteve ishin partneriale, thotë Redaktori i Portalit “Norvegjia Ruse” Pavell Prohorov:

- Deri para dhënies së Çmimit Nobel Liu Xiaobo, Kina dhe Norvegjia kanë zhvilluar aktivisht marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Në veçanti, pritej të nënshkruhej marrëveshja mbi tregtinë e lirë midis tyre. Ajo sanksiononte tarifa jashtëzakonisht të ulëta, të pashembullta doganore për mallrat e dy shteteve. Ndërkohë, duhet vënë në dukje, se Norvegjia kishte edhe shumë më tepër privilegje se sa vendet e tjera të BE-së. Por ja dhënia e Çmimit Nobel disidentit kinez solli si pasojë ndërmarrjen e demarshit nga ana e Kinës, meqenëse Pekini është mëse i bindur se Komiteti i Çmimit Nobel nuk është i pavaruar, por vepron në përputhje me politikën e jashtme të Norvegjisë.

Pozita e Norvegjisë në lidhje me lejimin vendeve jo-arktike që të zenë në të postet e vëzhguesve tradicionalisht ka qenë pozitive. Synimi për vendosjen e vetos ndaj pranimit të Kinës në Këshillin e Arktikut është përjashtim nga rregulli, mendon Zëvendësdrejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ushtarake të Universitetit të Kalgarit (Calgary) Robert Huba. Sipas mendimit të tij, është e nevojshme të kërkohet një rrugëzgjidhje kompromise. Kjo është edhe në interes të Këshillit të Arktikut, edhe në interes të Pekinit:

- Tashmë që prej dy vjetësh Kina po përpiqet të fitojë statusin e vëzhgueses së përhershme në Këshillin e Arktikut. Ajo ka ndërmend të zhvillojë një punë shumë të rëndësishme në të: të realizojë hulumtime novatore, operacione kërkimi dhe shpëtimi. Do të ishte e preferueshme përfshirja e Kinës në Këshillin e Arktikut. Sepse vendi e ndjen veten të izoluar dhe të pa ingranuar në proces, edhe pse mund të përdorë burime jashtëzakonisht të mëdha për zhvillimin e kapaciteteve të Arktikut.

Në fakt puna nuk do të kufizohet vetëm me përfitimin për vetë Këshillin e Arktikut. Rruga detare nëpërmjet Oqeanit të Ngrirë të Veriut është me leverdi të drejtpërdrejtë ekonomike edhe për Kinën. Është tejet e rëndësishme ajo edhe nga pikëpamja e sigurisë së lundrimit. Por marrja e aksesit në korridorin e transportit nuk është e vetmja gjë që paraqet interes për Pekinin në Polin e Veriut. Sipas vlerësimit të shkencëtarëve, në këtë rajon janë përqendruar më shumë se 25% të rezervave botërore të naftës dhe gazit. Për Kinën, me burimet e saj të kufizuara natyrore, është jashtëzakonisht e rëndësishme kjo zonë, mendojnë ekspertët.

0Në një raport të përgatitur nga ekspertët e Stockholm International Peace Research Institute thuhet se Arktiku mund të bëhet një zonë ku Kina do të ndjekë interesat e saj gjeopolitike. Po përse mos vallë vetëm Kina?

Konstantin Garibov, Igor Denisov