Shkencëtarët kinezë kanë studiuar trurin e njeriut, i cili vuan nga varësia prej internetit. Përfundimi është i trishtueshëm: dashuria për internetin shkatërron sistemin nervor vegjetativ (autonom) të njeriut, jo më pak se alkooli, apo duhani.

Kjo dashuri vret masën e bardhë të trurit. Vecanërisht, heqin keq zonat që përgjigjen për përpunimin e të dhënave të anës emocionale. “Njerëzit humbasin kontrollin e situatës dhe të jetës së tyre, ndërsa interneti shndërrohet për ta “dublant të realitetit”, shprehet akademiku psikolog dhe shkrimtari, Sergei Kljuçnjikov:

- Shenjat e varësisë nga interneti janë nga më të ndryshmet. Më kryesoret prej tyre janë: shmangia nga realiteti, gjendje e eksituar e sistemit nervor, apatia e shfaqur atëhere, kur është e domosdoshme për veprimtari aktive në shoqëri, vështirësi në vendimarrje, çrregullimi i gjumit. Këtë gjendje e shoqëron një besim i madh te thashethemet e internetit dhe jo besimi ndaj jetës reale.

Presioni psikologjik ndikon edhe mbi fiziologjinë: njeriu bëhet i ngathët dhe i përhumbur, mësohet me mënyrën e jetesës ulur, shpejt shton në peshë. Ai humb aftësinë për të kontrolluar kohën që kalon nëpër site, duke preferuar më shumë miqtë virtualë, sesa ata realë.

A ka të ngjarë që ky studim mjekësor të jetë kryer për qëllime politike, me porosi nga ana e qeverisë kineze, e cila nuk është edhe aq luajale ndaj internetit? “Ky studim, zor se mbart karakter politik, por nuk do të jetë pa interes për ata që marrin vendime në Kinë që lidhen me internetin”, shpreh bindjen e tij Sergei Kljuçnikov:

- Kinezët priren të jenë të vetëmjaftueshëm në të gjitha marrëdhëniet, përfshirë internet-vetëmjaftueshmërinë, duke kufizuar ndikimin e vendeve të tjera. Në këtë mënyrë, ata duan të ruajnë indentitetin kombëtar, sepse nëpërmjet internetit, ka mundësi të mos vijë gjithnjë ndikimi pozitiv. Le të sjellim ndërmend luftërat që fitohen në internet, revolucionet që konstruktohen nëpërmjet rrjeteve sociale. Shqetësimi i tyre është i kuptueshëm, por mendoj se fjala nuk është për ndikimin politik nëpërmjet internetit, por për ndikimin e tij në ndërgjegjen individuale të njeriut. Ka të ngjarë, që konkluzionet e mjekëve do të influencojnë mbi ata që marrin vendime në lidhje me internetin.

Ka kohë që tema e internetit është bërë shqetësim për qeverinë kineze. Pushteti në vend, nëpërmjet rrugëve administrative po frenon hapjen e internet-kafeve dhe me ligj po kufizon kohën e klientëve të ambienteve me dalje në rrjetin e komunikimit botëror. Në vitin 2008, në Kinë u përpunuan edhe “Standartet e diagnostifikimit të varësisë nga interneti”, sipas të cilave personat që kalojnë një kohë të gjatë në rrjet, lipset të kurohen.

Marina Vollkova