“Rusia ka nevojë për një ekonomi të re me një industri konkurruese dhe infrastrukturë përkatëse, për një sferë të zhvilluar mirë në sektorin e ofrimit të shërbimeve, për një bujqësi të efektshme. Për një ekonomi, e cila do të funksionojë mbi një bazë të re moderne teknologjike. Për këtë deklaroi Kryeministri dhe kandidati presidencial Vladimir Putin në aktikullin e vet botuar të hënën në faqet e gazetës “Vedomosti” («Ведомости»). Për arritjen e këtij qëllimi Kryeministri ofron disa zgjidhje.

E para dhe më kryesorja: është e nevojshme të kapërcehet hendeku i prapambetjes teknologjike. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik Rusia arriti të integrojë ekonominë e vet në atë botërore. Por e bëri këtë për llogari të burimeve të saj natyrore. Industria e vendit u ndodh, praktikisht, e humbur, e lënë tej mase pas dore. Dhe aktualisht Rusia është shumë e varur nga teknologjitë e importuara. Erdhi tashmë koha për ta ndryshuar një situatë të tillë, mendon Kryeministri dhe përmend, ndër sektorët prioritarë të ekonomisë, farmaceutikën, industrinë kimike të mbështetur në aplikimin e teknologjive të përparuara, materialet kompozite dhe jo-metalurgjike, industrinë e aviacionit, nanoteknologjitë dhe IP teknologjitë në sferën e informacionit dhe komunikimit. Plus industria bërthamore dhe ajo kozmike, ku Rusia nuk i ka humbur avantazhet e veta teknologjike. Në të gjitha këto sfera është i mundur një përparim i madh, mjaft serioz në të ardhmen, konfirmon analisti politik Aleksei Zudin:

- Para së gjithash u përmendën ata sektorë të ekonomisë, në të cilët vend ynë zotëron, në përgjithësi, pozita të qenësishme nëse do të maten kriteret e aftësisë konkurruese ndërkombëtare. Dhe, sigurisht, në këta sektorë mund të arrihet një përparim real, serioz. Në botën bashkëkohore avancimet në zhvillimin e sektorëve dhe sferave të ndryshme, si rregull, arrihen gjatë kombinimit të dy faktorëve. Ky është menaxhimi profesional, me mend i ndërmarrjeve të këtyre sektorëve me një fokus në qëllimet afatmesme dhe afatgjata. E dyta, mbështetja kompetente nga ana e qeverisë, zakonisht indirekte, por e qëndrueshme dhe afatgjatë. Në veçanti, krijimi i ligjeve që do të ndihmojnë firmat për të mobilizuar drejtë burimet dhe për t’i shfrytëzuar ashtu siç duhet ato.

Me qëllim që të rriten investimet në ekonominë ruse Vladimir Putin propozon përmirësimin e klimës për biznesin në vend, transferimin e debateve e mosmarrëveshjeve të sferës ekonomike nga gjykatat penale tek gjykatat e arbitrazhit si dhe reduktimin e pjesës së shtetit në ekonomi aty nga viti 2016. Me të gjitha këto postulate nuk mund të mos pajtohesh, shprehet ekonomisti rus Dimitri Katalevskij:

- Vetë çështja është shtruar drejtë nga Kryeministri. Por problemi konsiston në diçka tjetër: nuk janë fort të qarta rrugët për arritjen e zgjidhjes së saj. Putin me të drejtë shkruan se është e nevojshme të reduktohet korrupsioni. Por në ç’mënyrë të arrihet kjo? Edhe çështja që ka të bëjë me raportin e investimeve private dhe atyre shtetërore nuk është krejtësisht e kuptueshme. Për nga pikëpamja e përvojës ndërkombëtare, ekzistenca e kompanive shtetërore nuk është gjë e keqe. Dhe, bile, nuk është i nevojshëm reduktimi i pjesës së tyre në ekonominë e vendit. Por, natyrisht, këto kompani duhet të jenë transparente. Sepse aktualisht nuk është fare e qartë se çfarë po ndodh brenda këtyre kompanive dhe se si shpenzohen paratë e investuara nga shteti në to. Ndërsa ky është një terren mjaft pjellor për abuzime.

Preku në artikullin e vet Putin edhe reformën fiskale. Rusia nuk ka në plan të rrisë barrën e taksave në sektorët jo-primarë (jo të lëndëve të para). Ekziston një rezervë tjetër për rritjen e të ardhura nga taksat: këto janë pasuritë e shtrenjta të patundshme, konsumi i alkoolit, duhanit, mbledhja e pagesave të qirasë në ato sektorë ku ajo është ende shumë e ulët, tha Putin. Vendimet kyçe mund të merren që këtë vit me qëllim që të duke filluar që nga viti i ardhshëm pronarët e shtëpive dhe makinave të shtrenjta të fillojnë të paguajnë një normë më të lartë të taksave. Por nën veprimin e këtyre masave nuk duhet të përfshihen përfaqësuesit e klasës së mesme, thekson Kryeministri.

0Ky është tashmë artikulli i tretë i publikuar nga Vladimir Putin në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale. I pari u botua në gazetën “Izvestia” («Известия») më 16 janar. Temë kryesore e atij artikulli ishin sfidat me të cilat përballet tani Rusia bashkëkohore. Ndërsa tema kryesore e artikullit, i cili u botua një javë më parë në “Nezavisimaja gazeta” («Независимая газета»), ishte çështja kombëtare. Temat e artikujve të ardhshëm të Vladimir Putin do të jenë ndërtimi social dhe zhvillimi i Forcave të Armatosura të Rusisë. Më kryesori, më i rëndësishmi nga këta artikuj do të përfshihet në programin elektoral të kandidatit për presidencën Vladimir Putin.

Natalia Kovalenko