Shkarko audiofailin
“Plagët e padukshme të ushtarit”, “Lufta në mendjet e njerëzve”, “Të traumatizuar dhe të harruar”, “Gjendje e keqe shpirtërore mbizotëron në ushtri” - me tituj të tillë dhe të ngjashëm janë të mbushura në këto ditë faqet e mediave gjermane.

Fjalë bëhet mbi rritjen e numrit të ushtarakëve që po kthehen në atdhe pas shërbimit në Hindu Kush dhe të ashtuquajturin çrregullim stresi post-traumatik - PTBS. Ose, më thjesht, për “Sindromin afgan”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes të RFGJ, përmes luftës afgane kanë kaluar tashmë mbi 100.000 ushtarakë të Bundeswehr-it. 53 ushtarë lanë jetën e vet atje, kurse më shumë se 200 të tjerë morrën plagë të rënda. Por, siç u bë mëse evidente në kohët e fundit, jo më pak të tmerrshme dolën plagët e padukshme - sëmundjet mendore të ushtarakëve që kthehen nga Hindu Kush. Bile më tepër se kaq, në qoftë se në vitin 2008 kursit të trajtimit mjekësor iu nënshtruan 215 veta, për më pak se një vit në 2011-ën numri i tyre u rrit deri në 715. Sipas mendimit të mjekut kryesor psikiatër të Spitalit Ushtarak të Berlinit, kolonelit të Shërbimit Mjekësor Peter Zimmermann, të cilin e citon këto ditë e përjavshmja gjermane “Die Zeit”, statistikat e rritjes së sëmundjeve të tilla shpjegohen me karakterin gjithnjë e më brutal të luftimeve në Afganistan, dhe, së dyti, me heqjen e “tabusë” mbi temën e çrregullimeve post-traumatike.

Sipas fjalëve të Peter Zimmermann, sindroma post-traumatike është një sëmundje shumë serioze, e rëndë, duhet thënë, kur për forcë të ndryshimeve që ndodhin për shkak të stresit qeliza të caktuara të trurit humbasin aftësinë për të “filtruar” kujtimet. Natyra e pasojave  - nga sociale e deri tek ato kriminogjene - tashmë është e njohur fort mirë. Siç kujtoi në bisedën me Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Drejtori i Institutit rus të Vlerësimeve Strategjike Sergei Oznobishiev, ky problem u bë veçanërisht i mprehtë në SHBA pas përfundimit të Luftës së Vietnamit. U ballafaquan me të edhe në Rusi pas operacioneve ushtarake që vazhduan plot 10 vjet në Afganistan. Gjatë viteve të fundit i erdhi radha për tu përballuar me këto probleme disa vendeve të NATO-s, ushtarët e të cilave morrën pjesë në veprimet luftarake aktive në Bosnjë e Hervegovinë, në Maqedoni, në Kosovë, kurse tani në Hindu Kush.

- Sindromi i post-luftës është një gjë shumë e ndjeshme, - thotë Sergei Oznobishiev. - Po ndodh zhvlerësimi i vetë jetës njerëzore nën pretekste të ndryshme, në dukje, nga më humaniste - ndërtimin e demokracisë, shpëtimin e botës nga terrorizmi e kështu me radhë. Por të gjitha këto po arrihen me çmimin e ndryshimeve të tilla kaq serioze në psikologjinë e shoqërisë dhe personave të veçantë.

Oleg Severgin