Një komision ndërinstitucional nxorri kokluzionet mbi shkaqet që çuan në avarinë e stacionit kozmik studimor rus “Phobos-Grunt”. Sipas anëtarëve të këtij komisioni, një prej shkaqeve mund të ketë shërbyer shkëndija në diell, me 4 nëntor, disa ditë para se të lëshohej në hapësirë “Phobos-Grunt” nga kozmodromi i Bajkonurit.

Për 10 ditë me rradhë, pas kësaj dielli pati aktivizim me anomali dhe mund të ketë ndikuar në punën e stacionit. Kujtojmë, se stacioni nuk mundi të dalë në trajektoren e përllogaritur të fluturimit, të satelitit të Marsit, ndërlidhja me të u ndërpre dhe me 16 janar, aparati që kishte kushtuar afro 200 milionë dollarë humbi. Kryeredaktori i revistës “Novosti kosmonavtiki”, Igor Marinin, nuk e përjashton faktorin natyrë:

- Aktivizimi i diellit ndikon në aparatet kozmikë. Ka patur raste, kur madje, sisteme të tëra të ndërlidhjes satelitore të SHBA-ve, apo Kanadasë kanë rënë në heshtje prej aktivizimit diellor. Pra, teorikisht, kjo është e mundur.

Ndërkohë, disa ekspertë dyshojnë në objektivitetin e konkluzioneve të komisionit. Shkaku i avarisë qëndron në mospërgatitjen e duhur të aparatit për fluturim dhe në këtë rast është gjëja më e lehtë të fajësohet natyra. Kështu mendon Jurij Karash, anëtar korrespondent i Akademisë së Kozmonautikës Ruse, që mban emrin “Ciallkovskij”:

- Nuk ka nevojë të jesh Ajnshtajni, apo Landau që të dish, se plazma nuk ka preferenca politike, apo kombëtare. Për më tepër, që ajo nuk është shquar për ndonjë rusofobi, që ajo të ketë vepruar qëllimisht, pikërisht, ndaj aparateve kozmikë rusë, ndërsa aparatet kozmikë të vendeve të tjera t’i ketë lënë padëmtuar. Nëse do të flasim për renë plazmike, si rezultat i shkëndijimit të diellit, këtu lipset të kuptohet shumë mirë, që reja në fjalë për nga përmasat e tejkalon disa herë Tokën. Dhe, nëse ajo fillon të veprojë mbi planetin tonë, atëhere do të veprojë edhe në të gjithë hapësirën pranë Tokës, ku punojnë me mijëra aparate kozmikë.

Shkencëtarët nuk e vënë në dyshim, se projekti për hulumtimin e Phobos-it mund dhe duhet vazhduar. Akademia e Shkencave të Rusisë iu drejtua Roskosmosit me një letër të posaçme. Sipas autorëve të saj, ndërtimi dhe lëshimi i një stacioni të ri është i mundur në vitin 2018, atëherë, kur kushtet e fluturimit në Mars do të jenë të mbara, nga pikëpamja astronomike. Edhe koha është e mjaftueshme për t’u përgatitur.

Disa ditë më parë, përfaqësuesit e SHBA-ve vërtetuan informacionin e ushtarakëve rusë për vendin dhe kohën e rënies së fragmenteve të aparatit në Oqeanin Paqësor. Përmbledhtazi, vetëm gjetja e tyre do të mund të hedhë dritë, se kush është fajtor për dështimin e këtij projekti unikal kozmik të Rusisë, i cili konsiderohet si njëri nga më të mëdhenjtë në këto dhjetëvjeçarët e fundit.

Ilia Harllamov