Kremlini i Moskës është një muze-rezervat unikal dhe njëkohësisht rezidencë e autoriteteve qendrore të Rusisë. Po cili nga këto dy funksione është më i rëndësishëm për vendin dhe shoqërinë? Në lidhje me këtë tani po zhvillohen diskutime mjaft aktive dhe shprehen shumë pikëpamje të ndryshme.

Për shembull, në lidhje me Korpusin e 14-të të Kremlinit - godinës së madhe administrative të ndërtuar në vitin 1930, ku që nga vera e vitit të kaluar ka filluar një riparim kapital serioz. A do të rikthehen vallë në të nëpunësit e administratës presidenciale apo për ta do të gjendet ndonjë ndërtesë tjetër më moderne?

Por, edhe në qoftë se ata do të kthehen atje, me sa duket nga të gjitha, për një kohë jo të gjatë, meqenëse në përputhje me planin e zgjerimit të Moskës një numër institucionesh shtetërore, duke përfshirë edhe administratën presidenciale, do të zhvendosen në periferitë e kryeqytetit rus. Po çfarë do të ndodhë më pas me Korpusin e 14-të të Kremlinit?

Në fakt, pretendentë tashmë ka shumë dhe jo vetëm për një korpus të veçantë kremlinian, por dhe për gjithë Kremlinin. Ky është i ashtuquajturi Fond “Princëror” apo “Mbretëror” (Фонд «Княжеский») i kryesuar nga Valeri Kubariev. Sipas versionit të tij personal, ai është pasardhës i Dinastisë Rurik, domethënë i dinastisë së parë në pushtet në Rusi. Vërtetë, sipas konfirmimit të gjenealogjistëve dhe vlerësimit të Kuvendit të Fisnikëve Rusë ai është mashtrues, i vetëquajtur. Duke folur në emër të “gjithë përfaqësuesve të Dinastisë Rurik”, Valeri Kubariev e konsideron Kremlinin si pronë të vetën historike pavarësisht nga fakti se ka e humbur tashmë një seancë gjyqësore. Megjithatë në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Valeri Kubariev u shpreh mjaft optimist:

- Ne jemi absolutisht të sigurt në fitoren tonë. Ne nuk dëshirojmë të grindemi me qeverinë dhe shpresojmë në arritjen e një marrëveshjeje mbi përdorimin e objekteve të Kremlinit. Për shembull, godina e quajtur The Palace of the Facets (rus. Грановитая палата - Granovitaja Pallata) në Kremlin u ndërtua në shekullin e XV nga Cari Ivan III (Dinastia Rurik) për kuvendin e çifligarëve (boyars) dhe princave. Dhe ne do të formojmë sërish Kuvendin e ri të princave. Përse të mos mblidhemi pikërisht atje? Ne duam të jemi mu në zemër të Rusisë, sepse ne e kemi krijuar atë.

Ndërsa po të flasim seriozisht, do të ishte shumë më e arsyeshme ideja e zgjerimit të Kremlinit, si i thonë fjalës, “në drejtim të muzeut”. Atë e shprehu Ministri i Kulturës Aleksandër Avdeev, duke propozuar krijimin e një muzeu pikërisht në Korpusin e 14-të: sepse muzeu-rezervat “Kremlini i Moskës” ka nevojë akute për hapësirë.

0Megjithatë, propozimi më kardinal u bë nga galeristi i njohur Marat Gelman. Sipas mendimit të tij në muze historik duhet të shndërrohet i gjithë Kremlini, me fjalë të tjera - “të bëhet vendi kryesor historik i Rusisë me të vërtetë historik”. Por, mendon ai, hapja e monumenteve të Kremlinit për vizitim të lirë duhet bërë me kujdes jashtëzakonisht të madh me qëllim që të mos dëmtohet pacënueshmëria pothuajse ideale e këtij kompleksi të shquar historik dhe kulturor.

Olga Bugrova