Projektligji mbi kthimin në vend të zgjedhjeve të drejtpërdrejta të guvernatorëve, i cili u paraqit për shqyrtim në Dumën Shtetërore nga Presidenti rus Dimitri Medvediev, në kuptimin e plotë të fjalës shkaktoi efektin e shpërthimit të bombës në hapësirën informative.

Politikanët dhe ekspertët po e diskutojnë në mënyrë mjaft aktive iniciativën e Kryetarit të shtetit, duke vlerësuar avantazhet dhe disavantazhet e procedurës së re të zgjedhjes së guvernatorëve të rajoneve.

Iniciativa e Presidentit Medvediev, nëse do të gjejë mishërim në jetë, ka një plus të madh. Ajo do t’i shërbejë ruajtjes së stabilitetit të sistemit ekzistues, mendon eksperti i Qendrës për Teknologjitë Politike Pavell Salin:

- Emërimi i guvernatorëve ishte plotësisht i justifikuar, i natyrshëm në realitetet e periudhës së fillimit të viteve 2000-jë. Atëhere autoritetet federale, të cilat i emëronin ata, kishin një nivel shumë të lartë legjitimiteti. Aktualisht ky nivel po vjen duke u reduktuar, kurse autoritetet po përpiqen të kërkojnë një mbështetje të re në “korpusin, trupin e guvernatorëve”. Në rast se ligji i sipërpërmendur do të miratohet, atëhere do të jetë popullsia ajo që në një masë të madhe do t’i delegojë mandatin e besimit guvernatorëve. Një pjesë të legjitimitetit të vet udhëheqësit rajonalë tashmë do të mund t’ia delegojnë qendrës federale.

Pavell Salin shtoi se ekzistojnë edhe rreziqe të caktuara. Një nga ato është tundimi i kryetarëve të rajoneve me burime të pasura për të “luajtur” me separatizmin dhe për të realizuar në jetë ambiciet e tyre politike duke abuzuar me mbështetjen, besimin e popullsisë.

Megjithatë, kthimi i zgjedhjeve të drejtpërdrejta të guvernatorëve është i dobishëm për zhvillimin e demokracisë, vuri në dukje në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Drejtuesja e Qendrës ruse për Studimin e Elitave të Institutit të Sociologjisë Olga Krishtanovskaja:

- Në opinionin publik është konsoliduar një qëndrim i caktuar ndaj zgjedhjeve të guvernatorëve dhe kryetarëve të bashkive - si një e mirë që duhet kthyer. Për këtë dëshmojnë anketimet sociologjike. Kështu që autoritetet u detyruan ta marrin në konsideratë këtë, duke theksuar, se i venë veshin opinionit publik. Konkluzioni kryesor që nxjerr unë përsonalisht është i tillë: shoqëria civile në Rusi është formuar tashmë dhe mund të ndikojë mbi autoritetet. Në qoftë se do të flasim mbi vetë mekanizmin, duhet thënë, se gjërat nuk janë aq të thjeshta. Përvoja e viteve ’90 tregoi qartë se Rusia nuk ishte gati për zgjedhjet e guvernatorëve. Popullsia i besonte burrave të hijshëm, karizmatikë që i tregonin përralla të bukura asaj. Në postet drejtuese të rajoneve erdhën demagogë, të cilët nuk kishin asnjë përvojë menaxhuese. Ata përpiqeshin me të gjitha mënyrat t’i nënshtronin vetes biznesin. Kurse popullsia vuante dhe i kërkonte presidentit shkarkimin e guvernatorit, të cilin ajo vetë dhe e kishte zgjedhur. Kurse tani dëshira e njerëzve për të zgjedhur është më e vetëdijshme.

0Sipas projektit, kandidatët mund të propozohen nga partitë politike ose të vetë-emërohen në bazë të nënshkrimeve të mbledhura. Në dokument është parashikuar edhe një klauzolë ku thuhet, se kryetari i shtetit ka të drejtë të shkarkojë liderin rajonal që humbet besimin. Megjithatë, të drejtën e “shkarkimit” të guvernatorit e kanë edhe votuesit, por vetëm një vit pas marrjes së detyrës nga ai. Tashmë që në mes të shkurtit Duma Shtetërore mund t’ia hyjë punës për shqyrtimin e projektligjit presidencial për leximin e parë.

Ilia Harllamov