Togeri i marinsave amerikanë, Frenk Vuteriç mori ulje në gradë dhe fitoi lirinë me vendim të  tribunalit në bazën e Kemp-Pendltonit. Më 2005 ai ishte komandant i operacionit, i cili rezultoi me vrasjen e 24 irakenëve të paarmatosur.

Ky dënim i padëgjuar për nga butësia erdhi si rezultat i pranimit të fajësisë për veprimin që kish kryer ky ushtarak gjatë shërbimit, i faktit se kish shprehur keqardhje për sa kish ngjarë dhe se ra dakort me organin e akuzës për zbutjen e dënimit. Artemisa amerikane përsëri demonstroi, se parimi i drejtësisë dhe ndëshkimi për krime të rënda nuk është aspak i vlefshëm për të gjithë.

Perspektiva për një hetim objektiv të krimit është mjaft e zymtë, mendon eksperti i i Institutit të Shtetit dhe së Drejtës, Sergei Maksimov:

- Për fat të keq, kjo është një praktikë ndërkombëtare. Çdo shtet që ka një ushtri, synon që ajo të jetë maksimalisht e mbrojtur nga penalizimi, në mënyrë që të mbjellë besimin, se çdo luftëtar duhet të përmbushë deri në fund detyrimin që ka ndaj shtetit, pa marrë parasysh humbjet. Në këtë pikë, i vetmi gardian i vërtetë nuk është kodi penal, por ndërgjegja dhe besimi. Thënë ndryshe, konventa ndërkombëtare në fuqi, i ngarkon rreptësisht me përgjegjësi ata, që kryejnë krime kundër paqes dhe njerëzimit. Por pretendimi për një hetim të paanshëm për rastin e dhënë, do të ishte i mundur vetëm pasi të caktohej një tribunal ndërkombëtar për këtë çështje. Mundësia për një tribunal të tillë është e vogël.

Anëtari i komisionit për sigurinë dhe mbrojtjen në Parlamentin e Irakut, i partisë “Al-Ahrar”, Hakim Al-Zamili reagoi ndaj vendimit për Frenk Vuteriçin, si më poshtë:

- Është e vështirë ta quash madje dënim. Kjo është një mungesë e hapur respekti për popullin iraken dhe gjakun që ka derdhur, kjo është, thjesht, çnjerëzore. Të afërmit e viktimave do të ankohen në OKB dhe në të tjera organizata, duke kërkuar dënim të ashpër për fajtorin.

0Konstantin Sivkov, njëri prej drejtuesve të Akademisë së Problemeve Gjeopolitike, vërejti se të paligjshme ishin, jo vetëm krime konkrete kundër popullatës paqësore, por edhe vetë operacionet e forcave perëndimore në territorin e vendeve të pavarura:

- Ky ushtar ka kryer krime lufte dhe për këtë duhet të përgjigjet. Por ky është niveli më i ulët. Sipas të drejtës ndërkombëtare, vetë lufta e nisur kundër një shteti sovran përbën krim lufte.

Ilia Harllamov