“Eurogeddon”, ose shembja e sistemit ekonomik evropian do të ndodhë në një kohë shumë të afërt, parashikojnë ekonomistët e kompanisë konsultuese autraliane Deloitte-Access Economics (DAE).

Në vitin 2012 euro do të pushojë së ekzistuari dhe BE-ja do të reduktojë në mënyrë drastike kërkesën për të gjitha llojet e mallrave dhe lëndët e para, gjë kjo që do të çojë në një recesion të madh. Sipas mendimit të ekspertëve të DAE, autoritetet evropiane nuk po reagojnë ende në mënyrë adekuate, ashtu siç duhet, ndaj gjithë këtyre sfidave.

Termi “eurogeddon” u shfaq në fund të vitit 2011, kur problemet në zonën e euros filluan të rriten si një ortek. Udhëheqësit e BE-së nisën ethshëm të zhvillojnë një samit pas tjetrit, Kreu i ri i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Mario Draghi u detyrua të dalë me deklarata çdo javë, ndërsa agjencitë e vlerësimit kanë vazhduar të ulin ratings e vendeve anëtare të zonës së euros. Në një moment të caktuar recesioni në shkallë të gjerë filloi të perceptohet si i pashmangshëm. Ose “eurogeddon” - me dorën e lehtë të blogerëve financierë. Dhe nuk është aspak e habitshme që një përkufizim i tillë kaq tingëllues depërtoi menjëherë në mjedisin profesional.

Sipas parashikimit të DAE, tani për tani “sistemi ndodhet në një ekuilibër të kushtëzuar dhe vazhdon të funksionojë”. Por kaosi mund të vijë papritur dhe faktori, i cili do të ndikojë për dukjen e tij, është tejet i vështirë të llogaritet. Vihet në dukje gjithashtu se fati i euros do të duhet të përcaktohet deri në fund të vitit. Vini re se këto parashikime tingëlluan nga goja e financierëve më të autoritetshëm edhe në vitin 2011. Ekonomistët e DAE theksojnë gjithashtu se për të shmangur falimentimin e zonës së euros autoritetet e eurozonës duhet të reduktojnë borxhin publik dhe të rrisin në mënyrë radikale disiplinën fiskale. Por një qasje e tillë tashmë provoi mundësitë e veta të kufizuara, mendon ekonomisti rus Denis Barabanov:

- Së pari, shumë borxhe janë ndërlidhur me njëri-tjetrin - më shumë se 50% e vendeve evropiane janë të mbytura në borxhe. Së dyti, problemi i borxheve tani nuk është gjëja më e rëndësishme. Më të rëndësishme aktualisht janë ritmet e ulëta, madje negative të rritjes ekonomike. Dhe nëse do të vazhdojë ndjekja e taktikës së tanishme - angazhimi vetëm me problemin e deficitit të buxhetit - kjo do të çojë në përfshirjen e së ashtuquajturës spirale të borxhit: kur reduktimi i shpenzimeve të qeverisë ul ritmet e rritjes deri në momentin që vendet përfundojnë në recesion. Në SHBA ndoqën rrugën e kundërt dhe arritën suksese të caktuara.

0Pasojat e ngjarjeve rreth krizës së borxheve evropiane shpien ujë në mullirin e ithtarëve të skenarit “eurogeddon”. Kreditorët dhe Brukseli nuk po mund të merren dot vesh me Athinën për shkëmbimin e obligacioneve (bonove) me të reja - me afate më të gjata kohore shlyerje. Kurse vendimi i liderëve të BE-së për t’u bashkuar me embargon e naftës, të vendosur ndaj Iranit, mund t’i vërë kryqin planeve për rimëkëmbjen ekonomike.

Polina Çernica