Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch publikoi raportin, në të cilin kritikohet Gjeorgjia për respektimin e pamjaftueshëm në fushën e të drejtave të njeriut. Në raport përmenden shpërndarja e aktivitetit të opozitës vitin e kaluar, kufizimi i lirisë së fjalës e mediave dhe shpërngulja e refugjatëve.

Ajo që i shqetëson më shumë ekspertët perëndimorë është kufizimi i lirisë së tubimit të qytetarëve. Një prej fakteve më flagrant është shpërndarja e demonstratës së opozitarëve në maj të vitit 2011. Atëhere, dalja e njerëzve në rrugë, që nuk pajtoheshin me politikën e pushtetarëve në Gjeorgji, u shtyp dhunshëm nga forcat speciale, që përdorën shkopinjtë e gomës, ujëhedhëset dhe gazin lotsjellës. Si rezultat pati disa të vrarë. Human Rights Watch vërejti, se dhuna fizike e ushtruar ndaj demonstruesve si dhe ndaj gazetarëve gjeorgjianë e të huaj, kërkon një hetim të imtësishëm. Ndërkohë, Tbilisi, edhe sot e gjithë ditën, nuk ka garantuar një hetim objektiv të atyre ngjarjeve, megjithëse dëshmitë për shkeljet nga ana e organeve të ruajtjes së rendit janë të shumta.

Është për t’u gëzuar, që më në fund, një raport i tillë doli në dritë, por konkluzionet e tij përmbajnë karakter “të fokusuar” dhe nuk flasin për atë që është kryesore: mungesa e kompletuar e lirive demokratike në Gjeorgji. Këtë mendim shprehu në intervistën e tij dhënë “Zërit të Rusisë”, eksperti Feliks Stanjevskij:

- Problemi nuk qëndron në atë, se po kritikohet Gjeorgjia për shkelje të të drejtave të njeriut nga organizata në fjalë. Kryesorja është, se kjo bëhet në një dimension të ngushtë: përzgjedhin ndonjë detaj, duke lënë përshtypjen, se gjithçka shkon për së mbari, por hasen disa të meta të veçuara. Por, në Gjeorgji, duket shkoqur se po lulëzon një regjim autoritar. Dhe as që bie era demokraci. Për fat të keq, këtë nuk e pranojnë, as këto organizata, as Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili në një masë të madhe përcakton orientimet bazë të kritikës ndaj këtyre, apo atyre vendeve. Sa i përket shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gjeorgji, problemi që lidhet me pakicat kombëtare është po aq i dukshëm, sa edhe ai me opozitën. Në Gjeorgji kryhet persekucion ndaj kishës armene, vetëm se jo hapur, por nën rrogoz. Statusi i kishave armene po ridimensionohet dhe po bie nën kontrollin e autoriteteve kishtare gjeorgjiane. Kurse opozitarëve gjeorgjianë u duhet të bëjnë sakrifica të mëdha, që të arrijnë të ekzistojnë si opozitë. Ata i persekutojnë, gjithashtu, jo në mënyrë të hapur, por me dinakëri. Kjo është karakteristikë për elitën gjeorgjiane. Sa për të marrë një shembull, opozitarët dhe të afërmit e tyre nuk i marrin në punë, ose i pushojnë. Madje, edhe opozita properëndimore deklaron, se regjimi në Gjeorgji mbart karakter autoritar dhe e cilëson udhëheqësin aktual të Gjeorgjisë, si një diktator.

Sergei Iliçov