Shën Peterburgu synon ta afrojë veten në tregun turistik me ndihmën e brendeve gastronomike. Sipas specialistëve, gastronomia është një element i rëndësishëm i kulturës kombëtare dhe ndikon në mënyrë thelbësore në përzgjedhjen e vendit për udhëtim.

Ekspertët e Shkollës së Lartë Ekonomike të Peterburgut kryen një studim dhe shpallën ato rajone të Rusisë, ku me sukses përdoren brende gastronomike, i tregoi “Zërit të Rusisë” Zv.drejtori i këtij institucioni të lartë arsimor, Valerij Gordin:

- Në vend të parë qëndron Kamçatka me begatitë e saj të karavidheve. Mjaft aktivisht përdoret në reklamat turistike, si një gatim joshës, peshku omul i liqenit Bajkal. Aktivisht punojnë operatorët turistikë me peshkun dhe haviarin e kuq. Sa për resurset, që nuk i përkasin natyrës, operatorët turistikë po venë në pah kuleçët me mjaltë të Tulës. Këto zenë vendin e parë midis brendeve gastronomike që joshin turistët.

Sipas specialistit në fjalë, çdo turist shpenzon për ushqim deri në 30% të shumës në dispozicion, duke u përpjekur të përzgjedhë gjellët e kuzhinës vendore. Dhe prandaj nuk ka asgjë të habitshme në faktin që Peterburgu vendosi t’i gostisë vizitorët e tij me delikatesën e dashur të peterburgasve, sperlanon. Me këtë peshk të vogël mund të lëpish gishtat vetëm dy herë në vit, por ai konsiderohet si jo më pak i njohur dhe simbol për qytetin mbi lumin Neva, se kolona e Admiraliatit, apo Pallati i Dimrit. Valerij Gordin vijon më tej:

- U sqarua, se në krye të vendit nuk bën të vendosen gjellë konkrete, por pikërisht, kuzhina me atributet e dizajnit, me manierat e servirjes së gjellëve, me fjalë të tjera, aspekti kulturor i saj. U formatuan tre modele të brendeve gastronomikë peterburgase.

Orientimi i parë, është “Kuzhina e Peterburgut perandorak”, në përbërje të së cilës hyjnë gjellëra të shumëllojshme dhe të mrekullueshme, ku janë gërshetuar elemente të kuzhinës franceze, gjermane, hollandeze dhe italiane. Hiti i dytë, është “Kafeneja e shekullit të argjendtë”, si një simbol i kryeqytetit të Veriut, të fundit të shek.XIX dhe fillimit të shek.XX. Asokohe, u shfaqën kafenetë e para artistike, ku vizitorët shkonin jo vetëm dhe jo aq për të ngrënë, sesa për të parë programin artistik, për të dëgjuar këngëtarët dhe poetët e shquar. Dhe, së fundi, imazhi i tretë i gastronomisë së Peterburgut është “Kuzhina leningradase” e destinuar kryesisht për turistët vendas, shumë prej të cilëve u ka qëlluar të vijnë në qytet në kohërat sovjetike dhe kanë ruajtur nostalgjinë për byreçkat e mrekullueshme dhe petullat e punishteve të atyre viteve.

Sipas specialistëve, turizmi gastronomik asnjëherë nuk do të bëhet baza e industrisë turistike të Shën Peterburgut. Kjo është, thjesht, një përmasë e re unikale turistike e qendrës së Rusisë dhe Europës. Sepse kuptohet, Petërburgu është në vetvete një brend, por ky brend duhet mbështetur dhe forcuar.

Elena Kovaçiç