Internet-greva solli frytet e veta. Kongresi amerikan shtyu votimin për projektligjin SOPA (Stop Online Piracy Act - ligji për luftimin e piraterisë në Internet) për një periudhë të pacaktuar. Ekspertët besojnë se në pamjen e vet aktuale dokumenti nuk ka shanse për t’u miratuar.

Kundër projektligjit dolën Internet-kompanitë më të mëdha. Enciklopedia “Wikipedia”, blloku kolektiv Reddit, hostingu i imaxheve dhe fotografive TwitPic, blog-platforma WordPress dhe një sërë burime të tjera pezulluan përkohësisht punën e vet në Internet në shenjë proteste. Themeluesi dhe Kreu i Facebook Mark Zuckerberg u bëri thirrje kongresmenëve për të marrë në konsideratë mënyra të tjera për mbrojtjen e mbajtësve të të drejtave të autorit. Ato tashmë ekzistojnë dhe funksionojnë me mjaft sukses, tha eksperti rus Sergei Plugotarenko:

- Aktualisht të gjithë ofruesit kryesorë, më të mëdhenj të përmbajtjes në Internet (content provider) bashkëpunojnë me mbajtësit e të drejtave autoriale dhe heqin përmbajtjen (content) e paligjshme. Tjetër gjë është ajo se mbajtësit e të drejtave autoriale jo gjithmonë dinë ta përdorin atë dhe pastaj thonë se kompanitë nuk duan të mbajnë kontakte me ta dhe se i vjedhin paturpësisht. Ata propozojnë që kësaj Hidre me shumë koka, siç e quajnë ata Internetin, t’i pritet koka. Pozita jonë është krejtësisht tjetër: ne mendojmë se duhet të negociojmë për të arritur në marrëveshje dhe jo të ndryshojmë parimet e funksionimit të Internetit, gjë kjo që parashikohet në ligjin SOPA.

Projektligji SOPA lobohet në mënyrë aktive nga lojtarë të mëdhenj të industrisë amerikane të filmit dhe regjistrimeve zanore. Ata propozojnë bllokimin e aksesit në çdo burim, që merret me shpërndarjen e produkteve të falsifikuara, që para shpalljes së vendimit të gjykatës. Por gjatë kësaj nuk merret parasysh fakti nëse është përfshirë pronari i shërbimit në shpërndarjen e paligjshme të përmbajtjes (content) apo jo. Kjo do t’ua ndërlikojë shumë jetën ofruesve, motorëve të kërkimit dhe përdoruesve, biznesi i të cilëve është i lidhur me Internetin. Projektligji SOPA i bën ata bashkëfajtorë të krimit, tregon eksperti për sigurinë e informacionit Andrei Masalloviç:

- Një përdorues i ndërgjegjshëm mund të hyjë në listën e shkelësve të të drejtave të autorit pa bërë asgjë të keqe me paramendim. Përcaktimi i zotëruesit të përmbajtjes në ligj është shkruar në mënyrë të tillë që mund të interpretohet në forma diverse.

Fjalë nuk bëhet për dhënien e lirisë së plotë të veprimit Internet-piratëve. Shumë vende tashmë po luftojnë që prej një kohe të gjatë me shpërndarësit e paskrupullt të përmbatjes, por në projektligjin SOPA përcaktohet si shkelje bile edhe video që bëhet nga personi në shtëpi, në qoftë se si sfond në të është përdorur muzika. Fajtor për pirateri në këtë rast do të jetë si vetë përdoruesi që krijon filmin, ashtu dhe burimi në të cilin ai e vendos atë. Bota aty për aty do të përmbytet nga paditë gjyqësore, paralajmërojnë ekspertët. Bile dhe në qoftë se ky ligj do të miratohet vetëm në SHBA dhe do të ketë të bëjë vetëm me produktet amerikane, pasojat e tij do t’i ndjejnë të gjithë.

0Ndërkohë, Kongresi i SHBA e shtyu votimin për projektligjin SOPA. Por kongresmenët ua kanë bërë tashmë mëse të qartë të gjithëve se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga miratimi i ligjit SOPA.

Natalia Kovalenko