Autoritetet në ishujt Seishell hoqën dorë nga gjykimi i piratëve, që pushtuan anijen ushtarake daneze. Kjo shpjegohet kryesisht, me mungesën e dëshirës për të mos shpenzuar për mbajtjen e tyre nën arrest si dhe për shpenzimet e gjyqit. Cubat e detit i lanë të lirë.

Ndonëse media në mënyrë periodike njofton mbi sulme piratësh, mbi gjyqin ndaj tyre flitet gjithnjë e më rrallë, vitet e fundit janë zhvilluar jo më shumë se dhjetë procese. Pothuaj 90% e piratëve te kapur janë lënë sërish të lirë, sepse shtetet nuk duan të shpenzojnë për transpotin dhe mbajtjen e tyre. Në OKB janë drejtuar kërkesa për t’i shpallur piratët jashtë ligjit duke i bërë të barazvlefshëm me kriminelët e luftës. Por OKB-ja nuk nxiton, megjithëse problemi, ditë pas dite, po bëhet gjithnjë e më serioz, mendon eksperti i  Qendrës Ruse te Drejtës së Detit, Vasilij Guculjak:

-Që në shek.XVIII piratët janë shpallur të jashtëligjshëm, për më tepër ata i quanin armiq të species njerëzore. Tani, në shek.XXI, ata u përsëri u bënë realitet. Por, këta të fundit, nuk janë ata piratë për të cilët kemi lexuar në fëmijëri. Këta janë të pajisur me motoskafë të fuqishëm, të shpejtë, me armë zjarri moderne. Nëse më parë, këto armë i përdornin më të rrallë, tani i përdorin pa u menduar gjatë. Është veçanërisht e trishtueshme, që tani piratët, venë në veprim të tilla metoda si pengmarrja dhe pazari për shitblerjen e tyre. Kjo gjë është në kufijtë e terrorizmit.

Vendimi i OKB-së për piratët mbetet në ajër, ngaqë mbrojtësit e të drejtave të njeriut ushtrojnë presion. Ata përpiqen t’i justifikojnë piratët, përderisa ata, gjoja, protestojnë kundër gjendjes poshtëruese dhe nivelit të ulët të jetesës në vendet e tyre, sqaron ekspertja ruse, Evgenija Bojko:

-Mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë të prirur t’i lidhin këto lloj problemesh me aspekte të fushës sociale dhe humanitare, por duke gjykuar, sipas veprimeve të piratëve, fjala nuk është as për protestë dhe as për banditizëm të zakonshëm. Plus kësaj, si rregull, piratët nuk paraqesin kurrëfarë kërkesash të fushës sociale. Nëse kërkojnë diçka, kjo ka të bëjë me politikën dhe paratë.

Kohët e fundit, janë shpeshtuar sulmet pirate, jo vetëm në oqean të hapur, por edhe në detëra, madje edhe në lumenj. Gjithnjë e më shpesh, anijet tregtare po pësojnë nga sulmet, pershembull, në Danub, në rajonin e kufirit rumuno-serb. Gjithë kjo, na tregon se pirateria, qoftë ajo e lindur prej kontradiktave shoqërore, apo thjesht prej babëzisë për pasurim, në vitet e ardhshme mund të bëhet një problem botëror.

Anastasia Pershkina