Një miting antifashist proteste u zhvillua ne mbrëmjen e 19 janarit në Moskë. Kjo veprimtari, organizuar nga “Komiteti i 19 janarit”, i kushtohej përkujtimit të avokatit të vrarë, Stanisllav Markellov dhe gazetares së “Novaja Gazeta”, Anastasia Baburova. Ata u qëlluan tre vjet më parë.

Në miting, në qendër të kryeqytetit rus u dëgjuan parrulla të tilla, si: “Antifashizmi nuk është krim”, “demokracia dhe nazizmi nuk rrinë bashkë”. Këtë vit atje u grumbulluan një masë rekord tubuesish. Për t’i thënë jo fashizmit, në rrugë dolën jo vetëm moskovitët, por atyre iu bashkuan pjesëmarrës nga më shumë se 20 qytete, midis të cilëve nga Kievi dhe Bishkeku, Parisi dhe Berlini. Organizatorët janë të bindur, se duhet më shpesh t’u sillet ndërmend njerëzve  mbi domosdoshmërinë e betejës me neofashizmin dhe ksenofobinë, duhet thirrur më zëshëm për viktimat e terrorit politik dhe ideologjik. “Ne nuk duhet ta harrojmë këtë për asnjë minutë”, shprehet i sigurtë lideri i organizatës “Fronti i majtë”, Sergei Udalcov:

- Nuk përjashtohet kërcënimi, se të tilla ngjarje nuk do të përsëriten. Askush prej nesh nuk është i paprekshëm nga kjo, përderisa në shoqëri ende mbetet e konservuar intoleranca, ksenofobia dhe që pushteti, që herë pas here, mbyll sytë ndaj tyre. Brezi i ri nuk është indiferent, nuk anashkalon shkeljet e ligjit që ndodhin në vend. Dhe kjo është një mrekulli. Sepse shoqëria e njerëzve jo indiferentë, të interesuar për zhvillimin progresiv të vendit është parakusht, që Rusia nuk do të zhytet ne degradim dhe kaos.

Organizatorët kërkuan që mitingu të mos politizohet, duke e quajtur atë një aksion politik të protestës qytetare. Por, në dritën e ngjarjeve të fundit, që lidhen me zgjedhjet për në Dumën Shtetërore, t’i vendosësh tubimet masive, jashtë politikës është e pamundur. Ndasia e qytetarëve të Rusisë, sipas nacionalitetit, gjithnjë e më shpesh po bëhet monedhë këmbimi për politikanët. Kështu përshembull, bllogeri i njohur, Aleksei Navalnij, më shumë se një herë, e ka quajtur veten nacionalist rus dhe nuk është i vetmi, ka një sërë organizatash të ngjyrimit ultra të djathë. Mbështetja e tyre në shoqëri nuk është e madhe, por nuk duhet ulur vigjilenca, thotë mbrojtësi i të drejtave të njeriut, Lev Ponomarjev:

- Rusia ndodhet në një periudhë tranzitore. Ajo po largohet nga mbeturinat e totalitarizmit drejt shtetit demokratik. Kurse nazizmi, nacionalizmi rus është ai që pretendon të marrë drejtimin e vendit. Prandaj, tani për tani, na duhet të jemi vigjilentë.

Fajtorë për vrasjen e avokatit Markellov dhe të gazetares Baburova u gjetën, Nikita Tihonov, njëri prej themelueve të revistës “Ruskij obraz” dhe Evgenija Hasis, aktiviste e organizatës “Ruskij verdikt”. Tihonovi u denua me burgim të përjetshëm, ndërsa Hasis me 18 vjet heqje lirie. Vendimi i Gjykatës për këtë çështje nxiti debate të ashpra në shoqërinë ruse. Disa, sot e gjithë ditën, janë të bindur se dënimin e kanë marrë të pafajshmit, kurse kriminelët e vërtetë mbetën të pandëshkuar.

Milena Faustova