Opozitarët dolën sërish në Internet. Në rrjet u duk videoregjistrimi i bisedës së deputetit të Dumës Shtetërore nga Partia “Rusia e Drejtë” Gennadi Gudkov me bashkëkryetarin e Partisë së paregjistruar “PARNAS” (Partia e Lirisë Popullore) Vladimir Rrizhkov.

Më parë në Internet u dukën audioregjistrimet e bisedave të një bashkëkryetari tjetër të “PARNAS” Boris Nemcov, i cili qëndrimin e vet ndaj disa opozitarëve të tjerë e shpreh jo gjithmonë me fjalë e shprehje korrekte. Në një tonalitet të ngjashëm Gennadi Gudkov dhe Vladimir Rrizhkov folën mbi mitingun e ardhshëm, i cili është planifikuar për datën 4 shkurt. Kësaj here ata nuk janë aspak kundër të veprojnë pa liderin e lëvizjes së protestës - blogerin e njohur Aleksei Navalni. Por Gudkov dhe Rrizhkov e hedhin vështrimin e vet shumë përpara dhe përsiatin mbi krijimin e partisë social-demokratike sipas modelit evropian.

Analisti politik Grigori Trofimçuk e quan izolimin, veçimin e opozitës ruse në vitet e fundit një nga karakteristiket dalluese të saj dhe parashikon madje grindje dhe përçarje në të.

Shkrimtari dhe gazetari Dimitri Bikov, njëri nga themeluesit e Ligës së krijuar rishtazi të votuesve, e shikon situatën me një sy krejtësisht tjetër:

- Unë, për shembull, nuk kam kurrë patur kurrë fërkime apo mosmarrëveshje as me Vladimir Rrizhkov, të cilin e quaj si njeri jashtëzakonisht të ndershëm, as me Boris Nemcov, as me Gari Kasparov, i cili mund të ketë shumë divergjenca teorike me mua, por ne kemi me të megjithatë marrëdhënie shumë të mira njerëzore, as me Eduard Limonov, të cilin unë e konsideroj si një shkrimtar të madh. Ne mund të kemi pikëpamje të ndryshme për çështje diverse, por kjo është gjë krejtësisht e natyrshme, normale. Në marrëdhëniet tona njerëzore këndvështrimet e ndryshme nuk kanë ushtruar asnjëherë ndikim. Njëlloj mund të mendojnë vetëm ata njerëz që nuk mendojnë fare. Për shembull, anëtarët e Partisë “Rusia e Bashkuar”, lëvizjes “Nashi” (“Tanët”) apo “Garda e Re”. Tek ata lindin kontradikta e mosmarrëveshje vetëm në lidhje me çështjen që ka të bëjë me pagesën.

Edhe të parët, edhe të dytët kanë mbështetësit dhe kundërshtarët e tyre. Është vështirë të thuhet saktësisht se kush i bëri video dhe audioregjistrimet e fshehta të sipërpërmendura të bisedave të opozitarëve. Disa vëzhgues bile konfirmojnë me bindje se video-audioregjistrimet i kanë bërë vetë ata. Hajde gjeje, po deshe, se kush doli i fituar apo i humbur nga këto Internet-skandale. Kjo është shumë e vështirë të përcaktohet, thotë Leonid Radzihovskij:

- Në politikë ka kaq shumë faktorë të befasishëm, sa që nuk mund të thuhet asnjëherë asgjë me siguri të plotë. Ndodh edhe kështu - njeriut duan t’i prishin punë ndërsa pa dashje e ndihmojnë. Dhe anasjelltas - duan ta ndihmojnë, por si rezultat e fundosin fare. Ka si shumë vektorë në këtë sistem, ndërsa ata të gjithë është e pamundur ti parallogarisësh dot.

0Në çdo rast, duhet theksuar se platformë kryesore e opozitës ruse është bërë aktualisht Interneti. Në rrjetet sociale ata kanë gjetur mijëra mbështetës dhe kundërshtarë. Bashkë me këtë është shumë i rëndësishëm fakti që njerëzit e thjeshtë tashmë e demonstruan gatishmërinë e tyre për të dalë nga hapësira virtuale në rrugë e sheshe.