Shkarko audiofailin
Vizitat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen në Letoni, Estoni dhe Lituani, të cilat janë parashikuar të zhvillohen në 19-20 janar, kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme për Brukselin. Sipas informacionit në dispozicion, Zyrtari i Lartë ka ndërmend të diskutojë gjatë tyre, para së gjithash, marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s në sferën e mbrojtjes antiraket (MAR).

Ndërsa më konkretisht - planet e Rusisë, të cilat kanë shqetësuar tej mase kryeqytetet e Balltikut, për dislokimin në rajonin e Kaliningradit të komplekseve raketore “Iskander” në përgjigje të vendosjes në Evropë të sistemit amerikan të MAR. Kësaj teme i kushtoi komentin e vet Pjotër Iskenderov. Autori shkruan si vijon:

Situata aktuale në shumë gjëra është mjaft e ngjashme me atë që u krijua disa vite më parë për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën në marrëdhëniet midis SHBA dhe Polonisë. Udhëheqja polake u përpoq atëhere t’i shfrytëzojë debatet mes Moskës dhe Uashingtonit në lidhje me mbrojtjen antiraket në interes të vet - pra, që në kuadër të ripajisjes, riarmatosjes së ushtrisë polake të përfitonte për llogari të SHBA komplekset më moderne amerikane të mbrojtjes kundërajrore “Patriot”. Si argument, për ushtrim presioni mbi Shtëpinë e Bardhë, polakët përdorën rrezikun kërcënues që gjoja u vjen atyre nga komplekset raketore ruse “Iskander”. Marrëveshja në lidhje me sistemet “Patriot” u arrit, por amerikanët nuk morrën mbi vete megjithatë ripajisjen në shkallë të gjerë të forcave të armatosura polake, e cila do ti kushtonte Shteteve të Bashkuara rreth 20 miliardë $. Situatën e tensionuar e zbuti refuzimi i Barack Obama për vendosjen e raketave të MAR në territorin e Polonisë.

Dhe ja tani krijohet sërish situata “Déjà Vu”. Vetëm se në vend të territorit të Polonisë si bazë për vendosjen e elementeve të sistemit të MAR Pentagoni po shqyrton veriun e Evropës, duke përfshirë edhe Detin Balltik. Për Rusinë kjo situatë mund të jetë akoma dhe më e rrezikshme se sa dislokimi i dështuar i raketave interceptore në Poloni dhe radarit në Republikën e Çekisë, tha në intervistën dhënë për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Zëvendësdrejtori i Institutit rus të Analizës politike dhe ushtarake Aleksandër Hramçihin:

- Nëse do të përpiqemi të arsyetojmë teorikisht, pikërisht vendosja e luftanijeve amerikane në veri të Evropës do të ishte varianti më i dëmshëm, më i padëshirueshëm për interesat e Rusisë. Vërtetë, tani për tani nuk është plotësisht e qartë se si e shohin vetë amerikanët këtë problem, sepse vendosja e sistemeve të tilla në platforma lundruese do të kërkojë shpenzime të mëdha. Kështu, që është e parakohshme të flitet mbi parametrat e konfrontimit hipotetik midis SHBA dhe Rusisë në rajonin e Balltikut.

Megjithatë, Lituania, Letonia dhe Estonia tashmë janë të gatshme për të vepruar. Dhe tani NATO, duke gjykuar nga të gjitha, do të duhet të luajë Gambitin e ndërlikuar Balltik me qëllim që edhe uniteti i Aleancës të ruhet, edhe angazhime fort të kushtueshme të mos marrë mbi vete. Sipas informacionit të gazetës letoneze “Telegraph”, Anders Fogh Rasmussen ka ndërmend të diskutojë me partnerët e Balltikut iniciativën e pagëzuar me emrin “Smart Defence”, e cila do të lejojë shfrytëzimin maksimalisht efektiv të potencialeve të tyre mbrojtëse “me fonde të kufizuara”. Dhe, vetkuptohet, të bindë Vilniusin, Rigën dhe Talinin në efikasitetin e saj.

Pjotër Iskenderov