Xhonatan Pauell, ish- këshilltari i Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Bler, pranoi, se pesë vjet më parë bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete përdorën paisje speciale, të maskuar nën një gur, për spiunazh kundër Rusisë.

Sot në Angli, starton filmi i BBC-së me katër seri, ku ndër të tjera flitet për misionin e tyre. Ndërsa në Rusi, kjo histori pati jehonë të gjerë në janar të vitit 2006. Atëhere, televizioni rus shfaqi një film mbi një operacion të FSB-së (Shërbimi Federal i Sigurisë), që zbulonte një rrjet spiunazhi britanik. Bëhej fjalë për katër të ashtuquajtur diplomatë britanikë. Njëri prej tyre, Kristofer Pirt, sekretari i arkivit të ambasadës britanike, vendosi në një park në periferi të Moskës një paisje dhënie-marrës, të maskuar nën një gur. Në kohën, kur personi i rekrutuar nga zbulimi britanik kalonte pranë “gurit” me një kompjuter xhepi, paisja regjistronte ose transmetonte informacionin e agjentit. Më pas, me një kompjuter të këtillë, afrohej zbuluesi britanik, që punonte nën petkun diplomatik, i cili, gjithashtu, merrte apo transmetonte informacion.

Teksa skema e transmetimit të informacionit u bë e njohur, Britania e Madhe e akuzoi Rusinë për shpifje dhe provokacion. Për më tepër, bashkëpunëtorët e Mi-6 u ndjenë të fyer, që mbi ta u hodhën dyshime për përdorimin e këtyre “metodave të lashta” kaq banale. Ka të ngjarë, që anglezët të mos jenë në dijeni të fjalës së urtë ruse “ më e mira është armik i së mirës”. Megjithëse, ka patur edhe konfuzion. Aleksandër Mihajllov, anëtar i Këshillit të FR-së, për politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, tregon.

-Në vitet ’70, në rajonin e njërit prej aeroporteve ushtarake të Moskës u gjet një “kërcu” i kamufluar, brenda të cilit ishte fshehur një paisje transmetuese e teknologjisë së lartë. Me anë të lidhjes me radio, ajo mblidhte informacion dhe e transmetonte drejt një sateliti të SHBA-ve. Ky kamuflazh u gjet rastësisht: një mbledhës kërpudhash u përpoq të ulej mbi “kërcurin” në fjalë, ai u shkërmoq dhe brenda u gjet paisja. Tani ajo gjendet në muzeun e FSB-së.

Siç pohojnë bashkëpunëtorët e shërbimeve speciale, agjentët ndodh të zbulohen shumë shpesh. Porse, publikut i bëhen me dije raste të veçanta. Ja se çfarë tregon, Drejtori i Pergjithshëm i Këshillit për strategjinë kombëtare të FR-së, Valerij Homjakov.

0-Me Kinën, përshembull, ekziston një marrëveshje e caktuar. Në rast se zbulohet ndonjë spiun, për këtë nuk publikohet gjë zyrtarisht, por, thjesht, vihen në dijeni shërbimet speciale kineze duke iu thënë:njeriu juaj u zbulua, tërhiqeni që këtu. Në punët e spiunazhit gjithnjë është e pranishme politika. Nëse ju do të keni marrëdhënie negative me Britaninë e Madhe, atëherë edhe “çështjet e spiunëve” do të bëhen objekt publiciteti.

Anastasia Pershkina