Shkarko audiofailin
Njoftimet që vijnë nga Rumania të rikthjellojnë në kujtesë ngjarjet e më shumë se dy dekadave të shkuara. Po ato demonstrata masive anti-qeveritare, po ato kritika në adresë të kryetarit të shtetit për minimin e ekonomisë së vendit dhe po ato pasione të ndezura në gjirin e shoqërisë.

Protestuesit rumunë kërkojnë dorëheqjen e presidentit të vendit

Tashmë ka të plagosur gjatë trazirave në Bukuresht, Iaşi, Cluj, Galati dhe, së fundi, në vetë Timisoara, ku në vitin 1989 demonstruesit u qëlluan për vdekje me armë zjarri. Agjencitë informative njoftojnë se protestuesit marshuan në kryeqytetin rumun duke mbajtur në duar një arkivol me mbishkrimin “Bashesku - Çaushesku”. U deshën vallë shkatërrimi i rregjimit komunist dhe anëtarësimi në BE që vendi të ndodhej në një situatë pothuajse analogjike të përmbysjes së qeverisë? “Rumunët janë duke paguar për ëndrrën e tyre evropiane”, - mendon Drejtori i Institutit rus të Studimeve Politike Sergei Markov:

- Trazirat në Rumani janë nga seria e fenomeneve të pritshme. Pas tyre qëndrojnë problemet sistemore të vendeve të BE-së, të cilat jetojnë duke mos i shtrirë këmbët sipas jorganit. Prandaj unë i përmbahem mendimit se evropianët duhet të minimizojnë pjesën e tyre të konsumit. Bile më tepër se kaq, në proporcione të ndryshme. Në qoftë se Gjermania, për shembull, 25%, Franca 35%, atëhere vende të tilla si Greqia dhe Rumania deri në 50-60%. Situatat e grekëve dhe rumunëve janë shumë të ngjashme. Njerëzit, thjesht, tani nuk mund të fitojnë as për sigurimin e nivelit të mirëqënies materiale që kanë tani.

Pozita në të cilën u ndodhën autoritetet e Rumanisë nuk është për t’u lakmuar aspak. Masat e miratuara vitin e kaluar për shpëtimin e ekonomisë (një nga më të varfërat në BE!) duhen vënë në jetë. Në përputhje me këtë program Rumania ka marrë kredi nga FMN dhe BE-ja. Ndërsa njerëzit e nxitur nga bashkimet profesionale (sindikatat) ngrenë zërin për “gjenocid social” dhe thërrasin “Poshtë Bashesku!”. Po përse shkakton tek ata një zemërim kaq të madh presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike? Kësaj pyetje i përgjigjet Sergei Markov:

- Protestuesit e krahasojnë Traian Basheskun me Djallin. Por pavarësisht nga kjo, më besoni, atij nuk i kërcënohet fati i Çausheskut. Ai nuk do të përdorë kurrë në mënyrë masive armët e zjarrit kundër popullit të vet. Po, vërtetë, ai është një njeri me natyrë aventureske: mund të kujtojmë në mbështetje të këtij konfirmimi, për shembull, pretendimet e tij territoriale ndaj Ukrainës. Ndërkohë që edhe fqinjët e Rumanisë në rajon mund t’i paraqesin “llogaritë” e veta Basheskut.

Por, shprehet me bindje të plotë analisti politik rus, dorëheqja e presidentit, po ashtu si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nuk do të ndryshojnë asgjë në situatën e brendshme në Rumani. Rumunëve u duhet të perceptojnë qartë një gjë: Bashkimi Evropian nuk është grazhd (koritë) ku mund të hahet badiava. Në BE ata nuk mund të marrin asgjë falas. Le të shkatërrojnë sa të duan vitrinat e dyqaneve, të djegin automobilat, të hedhin mbi ruajtësit e rendit kokteje Molotov - për ëndrrën për t’u bërë pjesë e Evropës unike, në një mënyrë apo një tjetër, ata do të duhet të paguajnë megjithatë një çmim shumë të lartë - me kursime të mëdha dhe refuzimin e vlerave konvencionale.