Misioni i stacionit ndërplanetar rus “Phobos-Grunt” përfundoi, pa filluar ende. Aparati që u drejtua për në Mars nuk doli në orbitën e duhur. Stacioni për më shumë se dy muaj u rrotullua në orbitën tonë planetare, derisa, më në fund nuk u shpërbë në Tokë.

Sipas të dhënave të pavërtetuara, rënia e “Phobos-Grunt” ndodhi të dielën më 21.45 min. me orën e Moskës, në pjesën jugore të Oqeanit Paqësor. Ndërkaq, nuk është përcaktuar konkretisht vendi i rënies. Së pari, ky vend është larg territoreve me qytetërim, së dyti, nuk dihet, nëse fragmentet e stacionit mbërritën në Tokë, apo u dogjën në atmosferë, thotë Zv.drejtori i Roskozmosit, Anatolij Shillov:

- Shkatërrimi i aparatit kozmik ndodhi në lartësinë 10 km mbi territorin e Brazilit. Kjo ishte një pikë e llogaritur. Nuk ka as dëshmi vizuale, as të ndonjë lloji tjetër që të vërtetojë shkatërrimin e aparatit kozmik.

Stacioni ndërplanetar automatik “Phobos-Grunt”, që kishte për destinacion mbledhjen dhe shqyrtimin e fragmenteve të truallit të satelitit të Marsit, u lëshua nga kozmodromi "Bajkonur", natën e 9 nëntorit 2011. Të dyja paisjet e shtratit të raketës “Zenit-2” punuan pa difekte, por më pas pajisja motorike nuk mundi ta zhvendosë aparatin në trajektoren e fluturimit për në Mars. Humbjet e Roskozmosit në këtë rast përbëjnë afro 5 miliardë rubla (125 milionë euro). Shkaqet e dështimit të programit po i heton një komision i ngritur nga Roskozmos. Hetimi i avarisë është marrë përsipër të kontrollohet, personalisht nga Zv.kryeministri i FR-se, Dmitri Rogozin.

Shumë ekspertë shprehin dyshime, nëse komisioni do të mund të përcaktojë shkaqet e vërteta të ngjarjes. Aparati i telemetrisë, praktikisht nuk dërgoi të dhëna, ndërsa me anë të fragmenteve, nëse do të gjenden, është e vështirë të dilet në përfundime të sakta. Porse, konsulenti shkencor i RKK-së “Energija”, prof. Viktor Sinjavskij, është i mendimit, se të dhënat e tërthorta mund të jenë mëse të mjaftueshme:

- Përvoja e mëparshme tregon, se si rregull, kur kemi situata që dalin jashtë kontrollit, shkaqet përcaktohen në mënyrë mjaft të sigurtë, sepse në komision punojnë specialistë me kualifikim të lartë. Analiza e dokumentacionit, teknologjisë, afateve të garantuara na lejon përcaktimin e shkaqeve të avarisë.

Viti që sapo kaloi, qëlloi vërtet i palumtur për Agjencinë Kozmike Ruse, mbasi kanë ngjarë njëherazi disa avari serioze. Me fjalë të tjera, dështimet erdhën në një sfond rekord, po të krahasohen me sasinë e lëshimeve kozmike të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Për këtë vit janë planifikuar 35 lëshime kozmike. Ato do të startojnë nga kozmodromi "Plesetsk" (qarku i Arhangelskut) dhe ai "Bajkonur" (Kazakistan). Gjithashtu, në Guru, në Guaianën franceze do të kryhet lëshimi i anijes “Sojuz”, i cili është pjesë e programit të përbashkët të Europës dhe Rusisë.

Inessa Frollova