SHBA-të në mënyrë të qëllimshme po tensionojnë situatën rreth programit bërthamor iranian. Programi shumë miliardësh i nxjerrjes së hidrokarbureve të “ndërlikuara”, i miratuar nga SHBA-të, mund të realizohet vetëm në kushtet e çmimit të lartë të naftës.

Në qoftë se Irani si përgjigje ndaj veprimeve të Uashingtonit mbyll Ngushticën e Hormuzit, rritja e çmimeve është e pashmangshme, vërejnë analistët.

Disa javë më parë ekspertët ishin të bindur, se puna nuk do të shkonte deri te vendosja e embargos së naftës ndaj Iranit. BE-së, Japonisë dhe një sërë vendeve, të cilat importojnë naftë iraniane, do t’u nevojitet të kërkojnë urgjentisht furnizues të tjerë. Por rreziku kryesor qëndron në kundërpërgjigjen e Teheranit. Pushtetarët në Iran deklaruan, se nëse presioni do të vijë në rritje, ata do të mbyllin ngushticën e Hormuzit. Kjo do të thotë paralizim i tregut botëror të naftës, sepse pikërisht nëpërmjet këtij kanali kryhet 45% e transportit detar botëror të naftës. Sipas këtij skenari çmimet botërore të arit të zi do të fluturonin pothuaj dy herë. Kjo është më me leverdi, para së gjithash, për kompanitë amerikane të naftës, shprehet i bindur eksperti rus Sergei Pravosudov:

- Ata që nxjerrin përfitim nga kjo janë të shumtë në SHBA. Dhjetëvjeçarët e fundit në mënyrë aktive po zhvillohet nxjerrja e gazit shist argjilor, tani ata kaluan në nxjerrjen e naftës shist argjilore. Në planet e amerikanëve kjo gjë është, gati-gati, një projekt kombëtar: krijon më shumë se 1 milion vende pune. Të shposh në këto galeri duhet pandëprerë, përndryshe, mbas një viti ato praktikisht bëhen të pashfrytëzueshme. Por nafta duhet të kushtojë jo më pak se 100 dollarë për fuçi, që gjithë kjo të jetë rentabël. SHBA-ve u nevojitet pikërisht ajo, që Irani të mbyllë ngushticën e Hormuzit, ku kalon nafta dhe gazi i Lindjes së Mesme. Dhe atëherë do të ketë një defiçit shumë të madh.

Ekspertët vërejnë edhe një aspekt “të epopesë së shistit argjilor”. Ekologjistët e SHBA-ve paralajmërojnë për pasoja katastrofike në rast të shfrytëzimit masiv të burimeve të shistit argjilor. Komenti i ekologjistit rus, prof. Aleksei Jabllokov:

- Nxjerrja e gazit shist argjilor mund të provokojë tërmet. Ekziston dhe problemi tjetër, ai i ndotjes së horizonteve nëntokësorë. Dhe kjo ndotje mund të përhapet shumë më gjërë. Në Amerikë po zhvillohen beteja të vazhdueshme mbi atë, nëse duhet të lejohet nxjerrja në fjalë, në Nju- Jork, apo në rajone të tjera.

0Në Nju-Jork dhe Teksas u arrit të ndalohet nxjerrja e hidrokarbureve të shistit argjilor. Banorët e shtëpive pranë vendburimeve e kanë akoma të gjallë në kujtesë, sesi bashkë me ujin e pijshëm nga rubineti doli gaz. Nga ana tjetër, nëse çmimet e naftës do ngrihen në qiell, atëherë ekologjistëve dhe banorëve nuk do t’ua verë veshin kush. Gjithnjë e më shpesh, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kapitol deklarojnë, se SHBA-të në kushtet e recesionit, thjesht, nuk mund t’i lejojnë vetes të varen nga nafta e Lindjes së Mesme dhe veprimet e Iranit.

Polina Çernica