Presidenti Dimitri Medvediev paraqiti për shqyrtim në Dumën Shtetërore projekt ligjin e ri për zgjedhjet e guvernatorëve. Sipas dokumentit në fjalë, guvernatorët do të zgjidhen për një mandat jo më shumë se 5 vjet, partitë do të emërojnë kandidatët për guvernatorë pas konsultimeve me presidentin, kurse presidenti nga ana e vet i rezervon vetes të drejtën për të shkarkuar guvernatorët për korrupsion ose konflikt interesi.

Dokumenti parashikon gjithashtu mundësinë e lirimit të guvernatorit nga detyra në rastet e shkeljes së legjislacionit të Federatës Ruse apo subjektit të Federatës Ruse, si dhe për mosplotësimin në mënyrë të përsëritur të detyrave të veta, të konfirmuar nga instancat gjyqësore.

Rajonet ruse, dy muaj pas hyrjes në fuqi të amandamenteve që kanë të bënë me ligjin për zgjedhjen e guvernatorëve, duhet të bëjnë ndryshimet përkatëse në kushtetutën e Federatës Ruse. Guvernatorët e rajoneve ruse do të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Guvernatorët aktualisht veprues pas miratimit të ligjit të ri mbi zgjedhjet e kryetarëve të rajoneve do t’i ruajnë postet e veta deri në përfundim të mandatit të tyre.

Partive politike nuk do t’u nevojitet të mbledhin më nënshkrime në mbështetje të kandidatëve të vet për guvernatorë, kurse numrin e firmave, të domosdoshme për zgjedhjen e të vetë-emëruarve, do ta përcaktojnë autoritetet rajonale.

Banorët e rajonit, sipas projekt ligjit presidencial mbi zgjedhjet e guvernatorëve, do të kenë mundësi të iniciojnë lirimin nga detyra të kreut të subjektit të Federatës Ruse, votimin analog me referendumin do ta përcaktojë parlamenti lokal. Qytetarët rusë mund të dalin me iniciativën e revokimit të guvernatorit të rajonit të tyre jo më parë se një vit nga dita e hyrjes së tij në detyrë. Sipas dokumentit, votimi për lirimin e guvernatorit nga detyra mund të fillojë jo më vonë se 90 ditë nga dita e paraqitjes prej iniciatorëve të revokimit në komisionin zgjedhor rajonal të të gjitha dokumenteve të nevojshme dhe fletëve të nënshkrimit.

Projekt ligji i ri nuk kufizon numrin e mandateve në postin e guvernatorit në Rusi, kufiri moshor për kryetarët e rajoneve do të përcaktojë vetëm nivelin  më të ulët - 30 vjet.

0Ligji mbi zgjedhjet e guvernatorëve do të miratohet dhe do të hyjë në fuqi në muajin maj.