Irani shprehet i gatshëm për negociata serioze me “gjashtëshen” e ndërmjetësve ndërkombëtarë (5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermania). Në “gjashtëshe” hyjnë  Rusia, Kina, SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Me një deklaratë të tillë doli të enjten Zëdhënësi i Parlamentit të Republikës Islamike Ali Larijani, i cili ndodhet aktualisht me një vizitë në Turqi. Ai përsëriti edhe një herë se programi bërthamor irania ka karakter ekskluzivisht paqësor.

Ndërkohë portali i autoritetshëm i analistëve ushtarakë izraelitë DEBKA konfirmon se Irani ka ndërmend të zhvillojë provën e vet të parë bërthamore. Fjalë bëhet mbi shpërthimin nëntokësor me fuqi jo shumë të madhe - rreth 1 kiloton. Koha e mundshme e realizimit të provës është fundi i vitit 2012 ose fillimi i vitit 2013, supozojnë analistët izraelite duke u referuar tek burimet e tyre iraniane.

Është tejet e vështirë të vlerësohet realizueshmëria e një prove të tillë bërthamore. Sepse bile dhe për ndërmarrjen e një shpërthimi me fuqi të vogël nevojitet uranium armatimesh me shkallë 90% të pasurimit. Dihet fort mirë se Irani tani për tani nuk është në gjendje teknologjikisht ta bëjë këtë. Megjithëse teorikisht nuk përjashtohet edhe depërtimi i uraniumit të armatimeve në këtë vend me rrugë të tjera, thotë bashkëpunëtori i Institutit të Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Rusisë Pjotor Topiçkanov:

- Irani mund të ketë siguruar një sasi të mjaftueshme uraniumi armatimesh për realizimin e shpërthimit gjatë periudhës së viteve 1990-të dhe në fillim të viteve 2000 nëpërmjet rrjeteve të paligjshme ndërkombëtare të trafikut të materialeve dhe teknologjive bërthamore. Kontrabanda mund të jetë realizuar nga Pakistani.

Bashkë me këtë ia vlen të përmendet fakti, se Irani ka nënshkruar Traktatin Gjithëpërfshirës të ndalimit të provave bërthamore - ndryshe nga Izraeli apo Pakistani. Ai e deklaron gjithashtu vazhdimisht veten si ndjekës, respektues të rreptë të regjimit të mospërhapjes së armëve bërthamore. Prandaj, gjatë planifikimit të një prove të tillë kaq të bujshme, Teheranit do ti duhej patjetër të dilte fillimisht nga regjimi veprues i marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare. Por ekziston edhe një variant tjetër, mendon Pjotor Topiçkanov:

- Irani mund të mos ndërmarrë daljen nga marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare dhe ta zhvillojë provën bërthamore në fshehtësi, duke e deklaruar atë si një shpërthim paqësor për qëllime shkencore. Ose ta realizojë atë në territorin e ndonjë vendi të tretë, për shembull, në Pakistan ose në Republikën Popullore Demokratike të Koresë.

0Njoftimi i portalit izraelit mbi përgatitjen e provës bërthamore nga Irani është i pamundur të verifikohet. Si rregull, informacione të kësaj natyre disponojnë vetëm bashkëpunëtorët e shërbimeve të inteligjencës (zbulimit). Në rastin konkret kemi të bëjmë me një rrjedhje të qëllimshme në kuadër të luftës informative që po zhvillohet aktualisht kundër Iranit. Detyrë e bashkësisë ndërkombëtare është të mos lejojë që ky informacion të bëhet realitet, sepse kjo do të jetë e mbarsur me pasoja të paparashikueshme për mbarë botën. Dhe në këtë rast është vështirë të mbivlerësohet roli i vendeve, të cilat dalin në mënyrë konseguente për zgjidhjen me mjete paqësore të problemit bërthamor iranian, para së gjithash, Rusisë dhe Kinës.

Boris Pavlishiev