Qyteti prej dëbore dhe akulli, i pagëzuar me emrin “Akull-City” («Мороз-Сити»), u krijua në Parkun e kryeqytetit rus “Sokolniki”. Në një sipërfaqe prej 2.500 metra katrore skulptorët e rinj nga e gjithë Rusia kanë ndërtuar 13 godina prej akulli.

Shiko galerinë fotografike

Në kafene ju mund të pini çaj të nxehtë, në zyrën e gjendjes civile të shkëmbeni me njeriun e zemrës unazat prej akulli, në dyqan mund të blini suvenire prej akull, të cilat janë të ambalazhuara në mënyrë të tillë që mund ti çoni deri në shtëpi pa humbje. Në “Akull-City” («Мороз-Сити») ka edhe disko, klub, palestër, bankë, postë, shkollë dhe banjë ruse me avull.

Qyteti prej akulli në Parkun e kryeqytetit rus “Sokolniki” u ndërtua për pesë ditë nga 70 skulptorë të mbledhur nga Moska, Siberia dhe rajone të tjera të Rusisë, tregoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Art-Drejtorja e projektit Daria Lisicina:

- Ne arritëm të krijojmë një qytet të pazakontë, krejtësisht të veçantë, sepse u dhamë mundësi arkitektëve të mishërojnë në jetë projektet, idetë e tyre shumë të guximshme. Të gjitha godinat e qytetit janë krejtësisht unikale, në secilën nga ato duket dora specifike e autorit. Si rezultat i punës së mrekullueshme të skulptorëve u krijua një qendër e madhe ekspozitë e artit bashkëkohor prej dëbore dhe akulli.

Krenari e veçantë e ndërtuesve të këtij qyteti të habitshëm është Filarmonia. Vizitorëve u paraqitet mundësia unikale për të luajtur në të në instrumente muzikore prej akulli, në veçanti, në harpë, kitarë dhe trombë.

Nga dyqani i suvenireve askush nuk del duarbosh. Dhurata të tilla të pazakonta prej akulli vizitorët e qytetit, sigurisht, që nuk mund të blejnë më në asnjë vend tjetër, ndërkohë që edhe mundësia e zgjedhjes së tyre është shumë e madhe: lule, shandanë, figura kafshësh, statuetka, pjata, enë, komplete gotash. Një moment tjetër mjaft i rëndësishëm është edhe fakti se akulli për suveniret është sjellë nga liqenet ekologjikisht të pastër të Siberisë dhe Veriut të Rusisë.

Pushimet dimërore në Rusi me ndërtimin e qytezave prej akulli dhe dëbore, që shoqërohen me fishekzjarre dhe ndriçim të posaçëm festiv, i kanë përshkruar tashmë shumë autorë të huaj. Një nga përshtypjet më të gjalla, më interesante mbi arkitekturën e akullit dhe dëborës në Rusi i referohet vitit 1740, kur në Shën Petersburg u ndërtua Pallati prej Akulli. Perandoresha ruse Anna Ioanovna organizonte atje ballo të zhurmshme.

“Akull-City” («Мороз-Сити») në Parkun e kryeqytetit rus “Sokolniki” është i hapur për vizitorët çdo ditë nga ora 10 e mëngjesit e deri në 22.00 të mbrëmjes. Dhe meqenëse sipas parashikimit të sinoptikëve në Moskë, më në fund, do të vijë dimri i vërtetë, qyteti prej dëbore dhe akulli i ka të gjitha shanset të qëndrojë deri në mars. Ndërsa kjo do të thotë se shumë e shumë vizitorë të tij do të arrijnë të bëhen pjesëmarrës të ngjarjeve shumë interesante - që nga shfaqja impresionuese e dëborës e deri tek konkursi i njerëzve prej bore...

Maria Domnickaja